Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka votuar të mërkurën mbi një rezolutë të hartuar nga Brazili që bën thirrje për pauza humanitare në konfliktin midis Izraelit dhe grupit palestinez Hamas, për të lejuar qasjen e ndihmës humanitare në Rripin e Gazës. Me veton e vënë nga SHBA-ja, anëtar i përhershëm i Këshillit, rezoluta nuk ka kaluar
(UN News) - Shtetet e Bashkuara i kanë vënë veton, të mërkurën, një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila kërkonte “pauza humanitare”. Përmes kësaj rezolute kërkohej që të krijoheshin korridore humanitare, pushimi i luftës dhe shfuqizimi i urdhrit të Izraelit që u kërkoi qytetarëve në Gaza të largoheshin në veri të territorit.
Teksti i mbështetur nga 12 prej 15 anëtarëve të Këshillit përfshinte kritika për “krimet e tmerrshme terroriste të Hamasit” dhe nuk përfshinte kritika direkte ndaj Izraelit.
Rezoluta u kundërshtua nga ambasadorja e SHBA-së, Linda Thomas-Greenfield, mbi bazat se nuk e përmendte të drejtën e Izraelit për tu vetëmbrojtur. Ajo shtoi se veprimet e Hamasit e kishin sjellë krizën humanitare dhe bëri thirrje që t’i jepet kohë diplomacisë së Bidenit të funksionojë.
Rezoluta e sponsorizuar nga Brazili kërkonte “pauza humanitare për të lejuar qasje të plotë, të shpejtë, të sigurt dhe të papenguar për agjencitë humanitare të OKB-së dhe partnerët, dhe inkurajon krijimin e korridoreve dhe nismave të tjera për dërgimin e ndihmave humanitare për civilët”.
Në qoftë se cilido nga pesë anëtarët e përhershëm voton kundër në Këshillin e Sigurimit prej 15 anëtarësh, rezoluta apo vendimi nuk miratohet. Anëtarët e përhershëm të trupit janë Kina, Franca, Federata Ruse, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.
Para votimit të së hënës, dy amendamentet e propozuara nga Rusia, që përfshinin armëpushim të menjëhershëm, të qëndrueshëm dhe të plotë, dhe ndalimin e sulmeve kundër civilëve, u refuzuan nga Këshilli i Sigurimit.
“Koha e metaforave diplomatike ka kaluar që moti”, ka thënë ambasadori rus Vassily Nebenzia. Kushdo që nuk e mbështeti projekt-rezolutën e Rusisë për këtë çështje mban përgjegjësi për atë që ndodh, ka shtuar ai. Drafti aktual “nuk përmban thirrje të qartë për armëpushim” dhe “nuk do të ndihmojë në ndalimin e gjakderdhjes”.
Ai ka thënë se amendamentet e Rusisë ishin propozim për t’i dhënë fund sulmeve pa dallim ndaj civilëve dhe infrastrukturës në Gaza.
“Nëse këto nuk përfshihen në draftin aktual, nuk do të ndihmonte adresimi i situatës njerëzore në Gaza dhe polarizimi i pozicioneve të komunitetit ndërkombëtar”, ka thënë ai.
Përktheu: Forca Jashari