Shtetet e Bashkuara të mërkurën i kanë vënë veton rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që bën thirrje për armëpushim në Rripin e Gazës, lirimin e pengjeve dhe qasje të pakufizuar të ndihmave humanitare.
14 anëtarët e mbetur të Këshillit votuan në favor të rezolutës.
Përmes rezolutës kërkohej “armëpushim i menjëhershëm, pakushtëzuar dhe i përhershëm” mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza.
“SHBA-ja ka qenë e qartë se ne nuk do të mbështesim asnjë masë që dështon ta dënojë Hamasin dhe nuk bën thirrje për çarmatimin e Hamasit dhe largimin e tij nga Gaza”, ka thënë ambasadorja amerikane, Dorothy Shea.
“Kjo rezolutë do të minonte përpjekjet diplomatike për të arritur një armëpushim që reflekton realitetet në terren, dhe do të inkurajonte Hamasin”, ka shtuar ajo për tekstin e rezolutës që u paraqit nga 10 shtetet anëtare të Këshillit.