Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka miratuar propozimet e paraqitura nga presidenti amerikan Donald Trump për paqe të qëndrueshme në Gaza, përfshirë dislokimin e një force ndërkombëtare stabilizuese dhe hapjen e rrugës për shtetin palestinez.
Rezoluta u miratua me 13 vota pro dhe asnjë kundër, e dy abstenime nga Kina dhe Rusia. Sipas të dërguarit të SHBA-së në OKB, Mike Waltz, kjo rezolutë i jep drejtim të ri Lindjes së Mesme për izraelitët, palestinezët dhe të gjithë popujt e rajonit.
Plani 20-pikësh i Trumpit pikë qendër e ka vendosjen e trupave ndërkombëtare në zonë, e që sipas SHBA-së, do të përfshijë edhe forca nga shtete të tjera që janë ofruar të kontribuojnë.
Miratimi i kësaj rezolute “ishte hap i rëndësishëm në konsolidimin e armëpushimit”, ka thënë një zëdhënës i Sekretarit të OKB-së, Antonio Guterres.
Hamasi ndërkaq ka refuzuar rezolutën duke thënë se ajo nuk i përmbush të drejtat dhe kërkesat e palestinezëve.
Nën këtë rezolutë, kjo forcë ndërkombëtare do të punojë me Izraelin dhe Egjiptin, krahas një force të re policore palestineze, për t’i mbrojtur kufijtë dhe për të siguruar procesin e çarmatosjes së grupeve të armatosura, përfshirë Hamasin.
Trumpi e ka përshëndetur votimin duke e cilësuar historik. “Kjo do të mbetet si një prej miratimeve më të mëdha në histori të Kombeve të Bashkuara dhe do të çojë drejt Paqes në tërë Botën dhe është moment historik”, ka shkruar ai.
Për dallim nga draftet e mëhershme, rezoluta i referohet një rruge të qartë drejt vetëvendosjes dhe shtetësisë palestineze, siç kanë kërkuar disa anëtarë të Këshillit.
Në anën tjetër, Izraeli e kundërshton krijimin e shtetit palestinez. Por ishin shtete kyçe arabe që kanë bërë presion që rezoluta të përfshinte vetëvendosjen në tekst.
SHBA-ja, Autoriteti Palestinez dhe disa shtete arabe e myslimane, përfshirë Egjiptin, Arabinë Saudite dhe Turqinë, kanë bërë thirrje për hapa konkret pas miratimit.
Autoriteti Palestinez në një deklaratë ka thënë se rezoluta duhet të implementohet “menjëherë dhe urgjentisht”.
Rusia dhe Kina nuk e shfrytëzuan të drejtën e vetos, por abstenuan për ta miratuar kalimin tutje, kryesisht për shkak të Autoritetit Palestinez dhe mbështetjes nga tetë shtete të tjera arabe e myslimane.
Plani fillestar – ai i armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit ishte për dorëzimin e pengjeve dhe të ndaluarve – hyri në fuqi më 10 tetor. Waltzi e ka përshkruar si “hap fillestar fragjil”.
Plani i Paqes i Trumpit pezulloi luftimet që patën nisur qysh më 7 tetor 2023, kur u vranë 1200 njerëz në Izrael e 251 u morën peng. Rreth 70 mijë palestinezë u vranë nga autoritetet izraelite në Gazë në kundërpërgjigje, sipas të dhënave të Hamasit.