Botë

SHBA-ja heton lidhjen amerikane me vrasjen e presidentit në Haiti

Veprimi amerikan, sipas disa burimeve, është iniciuar pasi që policia haitiane ka identifikuar dy shtetasit e kapur amerikanë, si James Solages, 35-vjeçar, dhe Joseph Vindent (55), duke pretenduar se ata ishin pjesë e grupit të armatosur rëndë, të përbërë kryesisht nga 26 kolumbianë, burimet e të cilëve në ushtrinë kolumbiane thanë se ata kanë hyrë në Haiti nga Republika Dominikane

Agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit dhe ato të Inteligjencës kanë nisur të premten hetimet rreth lidhjes amerikane me vrasjen e kësaj jave të presidentit haitian, Jovenel Moise, pasi që dy burra amerikano-haitianë janë arrestuar nën akuzat për pjesëmarrje në operacion.

Policia haitiane ka identifikuar dy shtetasit, si James Solages, 35-vjeçar, dhe Joseph Vindent (55) duke pretenduar se ata ishin pjesë e grupit të armatosur rëndë, të përbërë kryesisht nga 26 kolumbianë, burimet e të cilëve në ushtrinë kolumbiane thanë se ata kanë hyrë në Haiti nga Republika Dominikane.

Gjyqtari hetues, Clement Noel, ka thënë për gazetën franceze “Le Nouvelliste” se amerikanët e arrestuar kanë thënë se fillimisht planifikonin të arrestonin Moisen e jo që ta vrisnin. Ai ka shtuar se Solagesi dhe Vincenti kanë qenë përkthyes të sulmuesve, ka raportuar gazeta.

Dy burime të afërta me forcat e zbatimit të ligjit, duke folur nën kushtin e anonimitetit, kanë thënë se agjencitë amerikane janë aktualisht duke e hetuar pistën e lidhjes së SHBA-së me vrasjen porse kanë refuzuar që të komentojnë specifikisht rreth dy të arrestuarve. Burimet kanë thënë se agjencitë amerikane nuk janë duke ndihmuar në hetimet në Haiti, shkaku se zyrtarët haitianë nuk e kanë kërkuar një gjë të tillë.

Një burim i tretë ka konfirmuar se agjencitë e Inteligjencës në SHBA i kanë nisur hetimet për çështjen. Autoritetet haitiane kanë ofruar fare pak të dhëna për të shpjeguar se çfarë motivesh do të kishin Solagesi dhe Vincenti, që të dy haitiano-amerikanë nga Florida, për t’iu bashkuar mercenarëve kolumbianë në vrasjen e presidentit.

Në postimet online, Solages ka përshkruar veten si një “agjent i certifikuar diplomatik” dhe “ish-kryeshef i truprojave” në Ambasadën kanadeze në Haiti. Këto deklarime janë bërë në ueb faqen e organizatës së bamirësisë që ai e udhëheq.

“Miami Herald” ka cituar një zyrtar anonim të Qeverisë që ka thënë se afro një dekadë më parë, kur Solagesi ishte në mesin e të 20-ve, kishte punuar shkurtimisht për një kompani të sigurisë që punonte në Ambasadën kanadeze në Haiti. Të dhënat publike kanë treguar se Solagesi kishte jetuar në Tamarac të Floridas dhe se nuk kishte dosje kriminale.

Ndërkaq për të dyshuarin tjetër Vincent janë ofruar pak të dhëna.

Autoritetet haitiane gjatë të premtes kanë ndërmarrë arrestime të reja, duke e bastisur Ambasadën e Tajvanit, ku besohet se kishin kërkuar strehim disa nga të dyshuarit.

Në total 17 persona janë vënë në pranga dhe tetë të tjerë janë në kërkim lidhur me vrasjen e Moises në shtëpinë e tij.

“Do t’i nxjerrim para drejtësisë”, ka thënë shefi i Policisë, Leon Charles.

Vrasja e pashembullt e Moises në shtëpinë e tij, gjatë një sulmi para agut të së mërkurës, ka lënë të lënduar rëndë edhe bashkëshorten e tij, duke nxitur shokim në vendin veçse të goditur nga varfëria, dhuna e gjithmbarshme dhe jostabiliteti politik.