Një rund i ri bisedimesh që synonojnë zgjidhjen e një lufte tregtare midis SHBA-së dhe Kinës është planifikuar të zhvillohet në Londër të hënën.
Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka njoftuar të premten se një delegacion i lartë amerikan do të takohet me përfaqësues kinezë. Gjatë fundjavës, Pekini ka konfirmuar se zëvendëskryeministri He Lifeng do të marrë pjesë në bisedime.
Njoftimet erdhën pasi Trumpi dhe udhëheqësi i Kinës, Xi Jinping patën një bisedë telefonike javën e kaluar, të cilën presidenti i SHBA-së e ka përshkruar si një "bisedë shumë të mirë".
Muajin e kaluar, dy ekonomitë më të mëdha në botë kanë rënë dakord për një “armëpushim” të përkohshëm për të ulur taksat e importit për mallrat që tregtohen midis tyre, por që atëherë të dy vendet kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjes.
Trumpi ka thënë se sekretari i Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, sekretari i Tregtisë Hoëard Lutnick dhe Përfaqësuesi i Tregtisë Jamieson Greer do të takohen me zyrtarë kinezë në Londër të hënën.
Të shtunën, ministria e jashtme e Kinës ka thënë se zëvendëskryeministri He do të jetë në Mbretërinë e Bashkuar midis 8 dhe 13 qershorit dhe se do të zhvillohet një takim i "mekanizmit ekonomik dhe tregtar Kinë-SHBA".
Rundi i ri i negociatave vjen pasi Trumpi ka thënë se biseda e tij telefonike me Xi-në të enjten u përqendrua kryesisht në tregti dhe "kishte rezultuar në një përfundim shumë pozitiv për të dy vendet".
Biseda telefonike ishte hera e parë që të dy udhëheqësit kishin folur që nga shpërthimi i luftës tregtare në shkurt.
Kur Trump njoftoi tarifa gjithëpërfshirëse për importet nga një numër vendesh në fillim të këtij viti, Kina u godit më rëndë. Pekini u përgjigj me normat e veta më të larta për importet amerikane, dhe kjo shkaktoi rritje të taksave që arritën kulmin në 145%.
Në maj, bisedimet e mbajtura në Zvicër çuan në një armëpushim të përkohshëm të cilin Trumpi e ka quajtur një "rivendosje totale".
Marrëveshja ka bërë që tarifat amerikane për produktet kineze të bien në 30%, ndërsa ato të Pekinit mbi importet amerikane në 10%.