Botë

Sfidat e Australisë, pasi ua ndaloi të rinjve rrjetet sociale

rrjete sociale

Ekspertët që punojnë ngushtë me fëmijët e cenueshëm dhe të izoluar, paralajmërojnë se heqja e qasjes së platformave të mediave sociale nga këta fëmijë mund t'i privojë ata nga rrjetet mbështetëse, duke i bërë ata të ndihen edhe më të izoluar dhe të vetmuar.

Për prindërit dhe aktivistët që kanë argumentuar prej kohësh se shfletimi i pandërprerë i faqeve të rrjeteve sociale po dëmton mendjet e të rinjve, ndalimi i parë në botë i mediave sociale për të rinjtë nën 16 vjeç në Australi të mërkurën, është vetëm fillimi.

Wayne Holdsworth, babai i Macut, i cili ia mori jetën vetes në moshën 17-vjeçare pasi u shënjestrua nga një mashtrim shantazhi seksual në mediat sociale, iu bashkua prindërve të tjerë që kishin humbur fëmijët për shkak të vetëvrasjes, në një tubim në rezidencën zyrtare të kryeministrit në Sydney.

“Është vërtet e trishtueshme. Nuk duhet të isha këtu, sepse ai duhet të ishte mbrojtur”, tha Holdsworth për CNN-in në ngjarjen për ta shënuar ligjin, i cili kishte hyrë në fuqi orë më parë. 

“Duhet të dija më shumë. Ai duhet të dinte më shumë”, shtoi Holdsworth. 

Për qeverinë laburiste të Australisë, ndalimi është një fitore politike që po merr vëmendje ndërkombëtare dhe e vendos atë në ballë të asaj që duket të jetë një moment global për ta frenuar shtrirjen dhe ndikimin e platformave të rrjeteve sociale.

“Kjo është Australia që udhëheq botën. Kjo është Australia që i përgjigjet asaj që është një çështje globale”, tha kryeministri Anthony Albanese për CNN-in.

“E dimë që po shkaktohet dëm social, dhe për këtë arsye kemi përgjegjësi si qeveri t'u përgjigjemi lutjeve të prindërve dhe gjithashtu fushatës së të rinjve që thonë, na lini të jemi fëmijë”, shtoi Albanese.

Komentet e tij erdhën ndërsa 10 platforma, duke përfshirë Instagram, Snapchat dhe TikTok, pezulluan ose fshinë llogaritë e fëmijëve nën 16 vjeç sipas ligjeve të reja që kërcënojnë me gjoba multimilionëshe për kompanitë e teknologjisë që nuk ndërmarrin “hapa të arsyeshëm” për t'i mbajtur fëmijët larg mediave sociale.

Zbatimi ka qenë i çrregullt, siç parashikoi qeveria, pasi disa fëmijë ishin ndaluar dhe të tjerë u gëzuan kur zbuluan se ishin ende online, megjithëse zyrtarët thonë se platformat duhet të vazhdojnë të monitorojnë përdoruesit dhe të përjashtojnë këdo nën 16 vjeç për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

Disa ekspertë thonë se, sado me qëllime të mira, ligji nuk do të adresojë ngacmimin kibernetik, një problem më i gjerë shoqëror që nuk është specifik për platformën.

“Është ekzagjeruar shumë”, tha Tama Leaver, profesoreshë e Studimeve të Internetit në Universitetin Curtin në Perth të Australisë.

Libri që vuri në lëvizje çështjen

Një nga motivuesit e ndalimit australian ishte një libër i titulluar “Gjenerata e Ankthshme”, nga psikologu social amerikan Jonathan Haidt, botuar në mars 2024.

Gruaja e kryeministrit të Australisë Jugore, Peter Malinauskas, po e lexonte librin prillin e kaluar dhe i jepte burrit të saj një përmbledhje çdo natë të përmbajtjes së tij.

“Nuk do ta harroj kurrë një natë, kur ajo e mbaroi librin, u kthye nga unë dhe tha: 'Më mirë të bësh diçka për këtë'”, tha Malinauskas në ngjarjen në Sydney të mërkurën.

Kështu, ai nisi një projektligj mbi zgjidhjet e mundshme në shtet lidhur me këtë çështje dhe ideja u përhap në New South Walesin fqinj, pastaj në nivel federal, të mbështetur nga fushata të drejtuara nga prindër të pikëlluar si Holdsworth.

Qëllimi kryesor i Haidtit është se prindërit i kanë mbrojtur tepër fëmijët në botën reale, por nuk i kanë mbrojtur ata në internet, duke i lënë të ekspozuar ata ndaj grabitqarëve, ndërsa i kanë privuar nga aftësitë e jetës reale, të mësuara në shesh lojërash që mundëson formimin e rezistencës. 

Në prag të ndalimit, Albanese u dërgoi një videomesazh të drejtpërdrejtë adoleshentëve australianë, duke i nxitur ata të “fillojnë një sport të ri, të mësojnë një instrument të ri ose të lexojnë atë libër që ka qëndruar aty në raft për ca kohë".

Thirrja e tij që fëmijët të merren me interesa të reja bazohet në hulumtimet e shumë ekspertëve se koha e tepërt para ekranit po rrit ankthin, me implikime afatgjata për shëndetin mendor të brezave të rinj.

Por ekspertët që punojnë ngushtë me fëmijët e cenueshëm dhe të izoluar, paralajmërojnë se heqja e qasjes së platformave të mediave sociale nga këta fëmijë mund t'i privojë ata nga rrjetet mbështetëse, duke i bërë ata të ndihen edhe më të izoluar dhe të vetmuar.

Ata po e ndjekin me kujdes ndryshimin dhe po gjejnë mënyra të reja për t'u afruar fëmijëve, qoftë personalisht, përmes grupeve ose në platforma të tjera për t'u siguruar që ata të mos rrëshqasin nëpër rrjetën e sigurisë që Australia tani po mbështjell rreth fëmijëve të saj.

Australia vendos standardet

Bisedat e zhvilluara nga prindërit në tavolinat e darkës nuk janë thellësisht të ndryshme nga ato në SHBA dhe vende të tjera, të demonstruara nga popullariteti i librit të Haidt dhe sugjerimet se qeveritë e tjera mund të ndjekin shembullin.

Në muajt e fundit, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca e kanë bërë më të vështirë për fëmijët të kenë qasje në përmbajtje të papërshtatshme për moshën, dhe anëtarët e Bashkimit Evropian, ndër të tjerë, kërkojnë të ndjekin shembullin.

Qeveria australiane beson se legjislacioni i mediave sociale mund të vendosë një standard kryesor në botë, siç bëri me ligjet e armëve në ‘90, kur qeveria e asaj kohe prezantoi kufizime të reja të ashpra pas masakrës në Port Arthur.

Tridhjetë e pesë persona vdiqën kur një person i armatosur sulmoi me armë zjarri në një vend turistik në Tazmani, duke nxitur veprime të shpejta legjislative dhe premtime se kjo nuk do të ndodhte më kurrë.

Sulmet me armë nuk janë zhdukur plotësisht, por armët e zjarrit nuk janë të zakonshme në Australi, dhe të shtënat masive në SHBA janë një kujtesë e shpeshtë se pse ligjet janë në fuqi.

Komisionerja e Australisë për Sigurinë Elektronike, Julie Inman Grant, e cila u rrit në Seattle, thotë se ndalimi ndoshta do të jetë "antidoti i parë i vërtetë", për atë që disa e shohin si një eksperiment të gjerë në mediat sociale mbi të rinjtë.

“Bota do të ndjekë, ashtu siç kombet dikur ndoqën shembullin tonë, në paketimin e thjeshtë të duhanit, reformën e armëve, sigurinë nga uji dhe dielli”, tha ajo. 

“Si mund të mos ndjekësh një vend që i jep përparësi të qartë sigurisë së adoleshentëve përpara fitimeve teknologjike?”, shtoi ajo.

Ndalimi nuk është një përgjigje e plotë

Kritikët e ndalimit thonë se ai shkel privatësinë dhe pengon lirinë e fjalës, dhe paralajmërojnë se çdo masë që kërkon të monitorojë aktivitetin online është fillimi i një mbikëqyrjeje më të rreptë.

Gjykata e Lartë e Australisë do të dëgjojë argumente rreth ndikimit të ndalimit në liritë e të rinjve për t'u angazhuar në diskursin politik, dhe disa nga platformat vetë mund të ngrenë veprime ligjore për ta luftuar ndalimin.

Sa u përket thirrjeve të sinqerta për veprim nga prindërit që humbën fëmijët, disa paralajmërojnë se heqja e mediave sociale nuk do t'i japë fund domosdoshmërish llojit të ngacmimit që përjetojnë disa të rinj që i morën jetën vetes.

Leaver, nga Universiteti Curtin, tha se ngacmuesit ka të ngjarë të ndërrojnë platforma, dhe ka frikë se ligji u ka dhënë prindërve një ndjenjë të rreme sigurie. Ai është i shqetësuar për të rinjtë që nuk kanë një të rritur të besuar për t'i ndihmuar gjatë kësaj periudhe, ose për ata prindërit e të cilëve janë problemi.

“Mendoj se nëse ia dalim që të gjithë të rinjtë të kalojnë verën pa pasur një incident tragjik, atëherë kemi bërë mirë”, tha Leaver. 

“Mendoj se në planin afatgjatë, për shkak se qeveria nuk ka vendosur asnjë qëllim ose se si duket suksesi, është shumë e vështirë të thuhet nëse ndalimi ka funksionuar apo jo”, shtoi ai.

Adoleshentët që i nënshtrohen ndalimit tashmë po dynden në platforma më të vogla, që ka të ngjarë të mos kenë të njëjtin nivel mbrojtjeje të integruar në llogaritë e fëmijëve, nga kompanitë e teknologjisë që kanë parë ndryshim të ndjenjës publike.

Komisionerja e Sigurisë Elektronike, Inman Grant, ka sugjeruar që lista e faqeve të ndaluara do të rritet dhe ato në listë do t'i nënshtrohen monitorimit të rregullt, që do të fillojë menjëherë.

“Nesër, do të lëshoj njoftime informuese për 10 platforma kryesore dhe do t'i japim informacion publikut para Krishtlindjeve se si po zbatohen këto kufizime moshe dhe nëse paraprakisht i shohim të funksionojnë”, tha ajo të mërkurën.

“Disa gjëra janë të sigurta”, shtoi ajo. “Prindërit do të mbështeten, familjet mund të rilidhen, lidhjet teknologjike do të lirohen”.

“Australia qëndron si një ndryshues global, vendosmërisht në anën e duhur të historisë”, u shpreh Inman Grant.

E Holdsworth thotë se, për të, ajo që vjen më pas është më shumë edukim për fëmijët nën 16 vjeç rreth rreziqeve me të cilat përballen në internet para se të fitojnë qasje në mediat sociale.

“Tani kemi një mundësi për të edukuar fëmijët midis tetë dhe 15 vjeç, në mënyrën që kur ata të kenë qasje në mediat sociale, të jenë të përgatitur”, i tha ai CNN-it.

Për djalin e tij Mac, ai tha: “Ai do të shikonte sot nga lart shumë krenar, krenar që është australian, krenar që është djali im”.