Serbia është pajtuar me sanksionet e reja të Bashkimit Evropian, është bërë e ditur sot nga BE-ja, pas takimit të ministrave të jashtëm të shteteve anëtare të bllokut, shkruan gazeta “Danas”.
Sanksionet e reja ndër të tjera kanë të bëjnë me ndalim të fluturimit dhe të aterrimit mbi shtetet e bllokut, të shteteve kandidate për anëtarësim në BE, si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi e Serbia, si dhe të shteteve që i përkasin zonës ekonomike evropiane si Islanda, Lihtenshtajni e Norvegjia.
Kjo është hera e parë që Serbia ndjek politikën e jashtme të BE-së kur bëhet fjalë për shtetet e Lindjes. Në fakt, Bjellorusia llogaritet si shtet mik i Serbisë. Para pak ditësh, Serbia pranoi donacion nga Bjellorusia katër aeroplanë luftarakë MiG-29.
Serbia në të kaluarën ka refuzuar t’i bashkohet BE-së për sanksione ndaj Rusisë e Bjellorusisë, ndonëse kërkon anëtarësimin në BE.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kohë që ndjek atë që është vlerësuar politikë oportuniste: “Miqësi në të katër anët” – me Rusinë e shtetet e Lindjes, Kinën, SHBA-në dhe Bashkimin Evropian.
Sanksionet e reja të BE-së vijnë pasi Bjellorusia ka devijuar me forcë një avion të kompanisë Ryanair, muajin e kaluar, për të arrestuar një gazetar kritik të pushtetit që ndodhej në bordin e tij. Po ashtu, presidenti bjellorus Aleksandr Lukashenko, është akuzuar për manipulim të zgjedhjeve presidenciale të vitit të shkuar dhe BE-ja nuk i ka njohur. Ai i ka shtypur me forcë protestat anti-qeveritare.