Rebelët në Kongo kanë vrarë së paku 19 persona derisa kanë hedhur zjarr në një qendër shëndeti dhe disa shtëpi, kanë raportuar autoritetet të dielën.
Personat e armatosur që dyshohet se janë pjesë e Forcës së Aleancës Demokratike, grup që lidhet me grupin e Shtetit Islamik, kanë sulmuar civilët në qytetin e Kirinderas, shkruan Agjencia e lajmeve AP.
Ky grup ka vrarë një numër të madh të njerëzve në fshatrat e Kivus ditëve të fundit. Autoritetet e Kongos kanë thënë se njerëzit janë mbytur me armë, thika dhe maçeta.
Agjencia e lajmeve Aamaq, që është e lidhur me Shtetin Islamik, ka publikuar një deklaratë të shtunën derisa thuhet se IS-i merr përgjegjësinë për vrasjen e më shumë se 35 “të krishterëve” dhe lëndimin e disa të tjerëve javën e kaluar.
Konflikti ka nisur dekada më herët në lindje të Kongos dhe janë më shumë se 120 grupe të armatosura të cilat luftojnë për pushtet, ndikim dhe burime dhe disa të tjera për ta mbrojtur komunitetin e tyre.
Kombet e Bashkuara dhe grupet e të drejtave të njeriut kanë akuzuar rebelët nga ADF për dhunime e vrasje të civilëve, përfshirë edhe fëmijët. Këtë muaj, SHBA-ja ofroi çmim prej 5 milionë dollarësh për informata që mund të qonin në kapjen e liderit të grupit, Seka Musa Baluku.