Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Fëmijët sollën një bombë në shtëpi, të paktën 15 të vdekur në Kongo

Të paktën 15 persona kanë vdekur në lindje të Kongos, pasi një grup fëmijësh sollën në shtëpi një mjet shpërthyes që kishin gjetur teksa po luanin, raporton agjencia AP. Tragjedia ndodhi në fshatin Kyangitsi, që ndodhet në territorin e Masisit në provincën veriore Kivu.

“Rreth orës 20:00 me kohë lokale, derisa disa nga banorët po tentonin të zbulonin se çfarë ishte ajo që sollën fëmijët, bomba shpërtheu”, ka thënë Telesphore Mitondeke, anëtar i një OJQ-je në Masisi.

Për dy javët e fundit, rajoni ka qenë skenë e armiqësive midis grupeve të armatosura lokale që luftojnë për kontrollin e fshatrave.

Konfliktet e vazhdueshme kanë shkaktuar panik te popullata, duke bërë që shumë civilë të largohen. Sipas një organizate civile zona “është e mbushur me mjete të shumta shpërthyese”.