Botë

Rutte u uron “fat të mbarë” atyre që mendojnë se Evropa mund të mbrohet pa ndihmën e SHBA-së

Mark Rutte

Foto: Associated Press

“Nëse dikush mendon këtu … se Bashkimi Evropian ose Evropa në tërësi mund të mbrohet pa SHBA-në, vazhdoni të ëndërroni. Nuk mundeni,” u tha Rutte ligjvënësve të BE-së në Bruksel.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, këmbënguli të hënën se Evropa është e paaftë të mbrohet pa mbështetjen ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe se do të duhej t’i dyfishonte objektivat aktuale të shpenzimeve ushtarake për të qenë në gjendje ta bënte këtë.

“Nëse dikush mendon këtu … se Bashkimi Evropian ose Evropa në tërësi mund të mbrohet pa SHBA-në, vazhdoni të ëndërroni. Nuk mundeni,” u tha Rutte ligjvënësve të Bashkimit Evropian  në Bruksel. 
Evropa dhe Shtetet e Bashkuara “kanë nevojë për njëra-tjetrën”, tha Rutte.

Tensionet po shtohen brenda NATO-s për shkak të kërcënimeve të ripërtërira të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në javët e fundit për të aneksuar Grenlandën, që është një territor gjysmë-autonom i Danimarkës, e që është anëtare e NATO-s.

Trump tha gjithashtu se do të vendoste tarifa të reja ndaj mbështetësve evropianë të Grenlandës, por më vonë hoqi dorë nga kërcënimet pasi u arrit një “kornizë” për një marrëveshje mbi ishullin e pasur me minerale, me ndihmën e Ruttes. Pak detaje të marrëveshjes kanë dalë në dritë.

Organizata ushtarake me 32 vende është e lidhur nga një klauzolë e mbrojtjes së ndërsjellë. Neni 5 i Traktatit themelues të NATO-s  i nënshkruar në Washington më 4 prill të vitit 1949, obligon çdo vend të vijë në mbrojtje të një aleati, territori i të cilit është nën kërcënim.

Në samitin e NATO-s në Hagë në korrik, aleatët evropianë — me përjashtim të Spanjës — si dhe Kanadaja ranë dakord me kërkesën e Trumpit që të investojnë të njëjtin përqindje të bruto produktit vendor për mbrojtje sa shpenzon SHBA-ja. U tha të arrihet objektiva brenda një dekade.

Ata u zotuan të shpenzojnë 3.5% të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjen bazë dhe edhe 1.5% për infrastrukturë të lidhur me sigurinë – gjithsej 5% të PBB-së – deri në vitin 2035.

“Nëse vërtet doni të ecni vetëm, harrojeni që mund të arrini ndonjëherë atje me 5%. Do të jetë 10%. Duhet të ndërtoni kapacitetin tuaj bërthamor. Kjo kushton miliarda e miliarda euro”, tha Rutte. 

Franca ka udhëhequr thirrjet që Evropa të ndërtojë “autonominë strategjike” të saj, dhe mbështetja për këtë qëndrim është rritur që kur administrata Trump paralajmëroi vitin e kaluar se prioritetet e saj të sigurisë janë diku tjetër dhe se evropianët do të duhet të mbrohen vetë.

Rutte u tha ligjvënëse se pa Shtetet e Bashkuara, Evropa “do të humbiste garantuesin përfundimtar të lirisë sonë, që është ombrella bërthamore e SHBA-së. Pra, hej, fat të mbarë!”