Këshilli i Sigurisë i Kombeve të Bashkuara të mërkurën ka rrëzuar një rezolutë të Rusisë që do të njihte nevojat humanitare në rritje të Ukrainës – por pa përmendur pushtimin rus që shkaktoi krizën, raportoi The Washington Post.
Për ta kaluar, rezolutës i duheshin një minimum prej nëntë votash nga 15 anëtarët e Këshillit dhe asnjë veto nga asnjëri prej katër anëtarëve që kanë fuqinë e vetos. Por, Rusia mori mbështetjen vetëm të Kinës, me 13 anëtarët e tjerë që abstenuan.
Humbja e Rusisë erdhi në të njëjtën ditë kur Asambleja e Përgjithshme filloi shqyrtimin e një rezolutë të përgatitur nga Ukraina dhe shtete të tjera nga bota që deklarojnë qartazi se agresioni rus është përgjegjës për urgjencën humanitare në rritje.
Rezoluta mbështet kërkesat e rezolutës së 2 marsit të miratuara nga Asambleja, që të ndalet menjëherë ofensiva në Ukrainë dhe Rusia t’i tërheqë trupat, mbrojtjen e civilëve dhe infrastrukturës.
Po ashtu, dënon pasojat e tmerrshme humanitare nga agresioni rus kundër Ukrainës të cilat thotë se “janë në një shkallë që komuniteti ndërkombëtar nuk e ka parë në Evropë për dekada”.
Ambasadorja amerikanë në KB, Linda Thomas-Greenfield, foli para votimit dhe deklaroi se Rusia edhe një herë po përpiqet ta përdorë Këshillin e Sigurisë për të “mbuluar veprimet e saj brutale”.