Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Rusia po planifikon një paradë të fitores në Mariupol

Qyteti ukrainas Mariupol i shkatërruar nga sulmet ruse

Rusia po planifikon një paradë në “Ditën e Fitores” në qytetin e shkatërruar ukrainas të Mariupolit, ka thënë Petro Andryushchenko, ndihmës i kryetarit të Mariupolit, në një postim në Telegram.

Ai ka thënë se Kostyantyn Ivashchenko, të cilin trupat ruse e kanë vënë nën drejtim në pjesët e Mariupolit që i kanë në kontroll, ka urdhëruar “të pastrohet pjesa qendrore e qytetit nga rrënojat dhe trupat e vdekur, që të organizohet parada më 9 maj”.

“Duke analizuar të gjitha të dhënat, okupuesit po planifikojnë të mbajnë ‘paradë të fitores’ në Mariupol, në rast se ‘operacioni special’ është i suksesshëm”, tha Andryushchenko. “Lajmi i mirë është se nuk ka vetura apo njerëz në qytet për të mbajtur këtë ngjarje”.

Parada do të ishte në festën më të madhe publike të Rusisë, Ditën e Fitores, që mbahet çdo vit më 9 maj, për të festuar triumfin mbi Gjermaninë Naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore.