Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Moska mbyll aeroportet dhe ndërpret internetin para paradës së Ditës së Fitores

Moske

Foto: Associated Press

Rusia ka mbyllur aeroportet dhe ka ndërprerë përkohësisht qasjen në internetin celular për shumë përdorues në Moskë të martën, si masë shtrënguese për sigurinë përpara paradës së Ditës së Fitores më 9 maj që shënon humbjen e Gjermanisë naziste.

Parada - festimi kryesor kombëtar i Rusisë, është reduktuar tashmë dhe do të vazhdojë pa pajisje të rënda ushtarake për herë të parë në gati dy dekada, mes frikës nga sulmet me dronë ukrainas me rreze të gjatë veprimi.

Ukraina kohët e fundit ka demonstruar aftësinë e saj për të depërtuar në sistemet e dendura të mbrojtjes ajrore të Moskës: të hënën në mëngjes, një dron ka goditur një ndërtesë të lartë apartamentesh vetëm pak kilometra larg Kremlinit.

Në atë që dukej të ishte një përpjekje për të mbrojtur paradën ushtarake, Moska më parë këtë muaj ka shpallur një armëpushim të njëanshëm me Ukrainën për 8-9 maj dhe ka paralajmëruar për një "sulm masiv me raketa" në qendër të Kievit nëse ai shkelej.

Ukraina e ka hedhur poshtë propozimin si një dredhi cinike për të mbrojtur paradën nga sulmet me dronë. 

Edhe Ukraina godet një ndërtesë luksoze banimi në Moskë Botë Ukraina godet një ndërtesë luksoze banimi në Moskë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, është përgjigjur duke njoftuar një armëpushim të veçantë nga 6 maji, duke thënë se "nuk ishte serioze" të pritej që Kievi të respektonte një armëpushim të lidhur me një festë ushtarake ruse.

Duke folur gjatë një vizite në Armeni, Zelensky ka thënë se Moska kishte frikë se "dronët mund të fluturonin mbi Sheshin e Kuq".

Siguria në kryeqytetin rus është forcuar dukshëm në prag të paradës, me pika kontrolli të ngritura në të gjithë qytetin dhe snajperë dhe ekipe mitralozësh të vendosur në kullat e Kremlinit.

Banorët të martën janë zgjuar me sinjale të fikura celularësh në të gjithë Moskën. Ndërprerja i goditi më rëndë punëtorët, mirëpo deri në mesditë, qasja duket se ishte rikthyer kryesisht.

Edhe Ukraina lëshon mbi 400 dronë drejt Moskës teksa Zelensky përballet me protesta Botë Ukraina lëshon mbi 400 dronë drejt Moskës teksa Zelensky përballet me protesta

Të katër aeroportet e Moskës gjithashtu pezulluan operacionet të martën për shqetësime të paspecifikuara sigurie.

Zyrtarët rusë i kanë justifikuar më parë mbyllje të tilla si të nevojshme për të mbrojtur kryeqytetin nga sulmet me dronë dhe aktet e sabotimit.