“Lufta – ose për më keq qasjet themelore krejtësisht divergjente të Bashkimit Evropian kundrejt Rusisë dhe mënyra se si e presin të ketë formë paqja e pasluftës – po e ndryshon thelbin e baraspeshës së fuqisë brenda vetë bllokut. Dhe ky është lajm i keq për Gjermaninë, Francën dhe pjesën tjetër të hisedarëve tradicionalë të Bashkimit Evropian”, shkruan Eoin Drea, analist dhe hulumtues i lartë politik në qendrën për studime evropiane “Wilfried Martens”
Pavarësisht prej retorikës lavdëruese në Bruksel për reagimin befasisht të vendosur të Bashkimit Evropian kundër pushtimit rus të Ukrainës – që do të kulmonte me rekomandimin e drejtë të Komisionit Evropian për shqyrtimin e kandidaturës së Ukrainës për anëtarësim – lufta nuk e ka bashkuar bllokun në mënyrë të pashembullt e lëre më ta transformonte rrënjësisht, shkruan Eoin Drea, analist dhe hulumtues i lartë politik në qendrën për studime evropiane “Wilfried Martens”.
Në një analizë të gjatë të Dreas në revistën amerikane të marrëdhënieve ndërkombëtare, Drea vlerëson se në fakt lufta në Ukrainë ka pasur efekt krejtësisht të kundërt, duke spikatur se përtej qëndrimit unifikues në publik, nën rrogoz fshihen shumë ndasi, ndërrime aleancash dhe një realitet tepër i ndërlikuar.
“Lajmi i keq”
“Lufta – ose për më keq qasjet themelore krejtësisht divergjente të Bashkimit Evropian kundrejt Rusisë dhe mënyra se si e presin të ketë formë paqja e pasluftës – po ndryshon thelbin e baraspeshës së fuqisë brenda vetë bllokut. Dhe ky është lajm i keq për Gjermaninë, Francën dhe pjesën tjetër të hisedarëve tradicionalë të Bashkimit Evropian”, vlerëson Drea.
Pushtimi i Ukrainës më 24 shkurt nga trupat e presidentit rus, Vladimir Putin, nuk i befasoi liderët e Bashkimit Evropian, pasi agjencitë amerikane të inteligjencës kishin paralajmëruar Ukrainën dhe botën mbarë se në fillim të këtij viti pritej agresioni ushtarak i Kremlinit kundër ish-Republikës Sovjetike. Liderët evropianë reaguan njëzëri duke treguar një qëndrim të përbashkët, të pazakonshëm krahasuar me kriza të tjera politike me të cilat është përballur blloku, por me kalimin e ditëve nisën të raportohej për pikëpamje të ndryshme të liderëve të vendeve më të fuqishme të BE-së. Madje presidenti francez, Emmanuel Macron, deklaroi në një moment ku shpresohej se palët mund të afroheshin në tryezën e negociatave se duhej të ruhej edhe fytyra e Putinit pas dështimit rus për ta pushtuar Ukrainën me “blitzkrieg”.
Paralajmërimet e injoruara
“Çfarë ka ekspozuar lufta e tanishme është dështimi i qasjeve transaksionare i Parisit dhe i Berlinit ndaj anëtarëve të bllokut në Evropën Qendrore dhe Lindore, si dhe në Baltik. Për dekada me radhë Evropa Perëndimore ka ndjekur modelin me themel ekonomik, duke favorizuar penetrimin e tregut për bankat dhe kompanitë e tjera, zinxhirët e furnizimit për prodhuesit perëndimorë dhe një rrjedhje të vazhdueshme të fuqisë së lirë punëtore kundrejt çfarëdo fokusi të veçuar gjeostrategjik”, analizon Drea, duke shtuar se prioritetet ekonomike perëndimore u kushtëzuan edhe me përpjekjen për ndryshimin e vlerave politike e shoqërore – duke lidhur ndryshimin me financimet e Bashkimit Evropian.
“Njëherësh paralajmërime të panumërta nga kryeqytetet lindore për Rusinë jo vetëm që u injoruan, por shpesh u përqeshën si paranojë”, shkruan Drea. “Lufta e ka dëshmuar se nëse duhet ndonjë provë, fuqia e fortë ua merr anën taktikave të buta të bindjes – leksion që shumë liderë perëndimorë e kishin injoruar kaherë”.
Dhe Drea mendon se ndryshimi më i madh i qasjes tashmë është i qartë. Vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore e dinë se tanë janë krejtësisht të varura për sigurinë e tyre – dhe mbase edhe për ekzistencën e vazhdueshme si vende të pavarura – prej NATO-s e jo prej Bashkimit Evropian, paralajmëron ai.
“Paaftësia e BE-së për t’iu kundërvënë revanshizmit rus në çfarëdo forme kuptimplote ka spikatur lajthitjet franceze të ‘autonomisë strategjike’ evropiane dhe shkërmoqi besueshmërinë e BE-së në siguri dhe mbrojtje”, vë në pah Drea. “Me Rusinë jo vetëm objekt shqetësimi, por edhe kërcënim i përnjëmendtë, faktorët kyç në mbrojtjen e Evropës për dekada me radhë nuk do të jenë më hisedarët e BE-së, tradicionalisht miqësorë me Rusinë – Gjermania dhe Franca – por vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, shtetet baltike dhe nordike, Shtetet e Bashkuara dhe Britania”.