Pasi vendosën javën e kaluar për një ngrirje në afat të pacaktuar të aseteve ruse në Evropë, udhëheqësit e BE-së përballen me një testim të re force në samitin e së enjtes. Ukraina është në vështirësi të mëdha financiare dhe ata kanë premtuar t'i përmbushin nevojat ekonomike dhe ushtarake të Kievit për dy vjetët e ardhshëm, me shumë mundësi përmes një kredie të re dëmshpërblimi
Gjatë vitit 2025, një realitet i ri është krijuar në Evropë. SHBA-ja, prej kohësh aleatja më e fortë, ka cenuar unitetin, ekonominë, sigurinë dhe madje edhe demokracinë e Bashkimit Evropian, duke vendosur sfondin për një samit të BE-së këtë javë në fund të një viti jashtëzakonisht të vështirë.
Pasi vendosën javën e kaluar për një ngrirje në afat të pacaktuar të aseteve ruse në Evropë, udhëheqësit e BE-së përballen me një testim të re force në samitin e së enjtes. Ukraina është në vështirësi të mëdha financiare dhe ata kanë premtuar t'i përmbushin nevojat ekonomike dhe ushtarake të Kievit për dy vjetët e ardhshëm, me shumë mundësi përmes një kredie të re dëmshpërblimi.
“Është kohë kritike për Evropën dhe Ukrainën”, ka paralajmëruar ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Lokke Rasmussen, vendi i të cilit do ta ketë presidencën e radhës të BE-së. “Ne duhet ta marrim këtë vendim për të siguruar ekonominë ukrainase, por edhe për t’i dërguar një sinjal pjesës tjetër të botës, ku do të përfshihet edhe Shtëpia e Bardhë, se Evropa është një lojtare e fortë gjeopolitike”.
Ndërsa lufta më e madhe në kontinentin evropian me dekada është duke vazhduar, evropianët janë testuar nga kërcënimet e presidentit Donald Trump, mbështetja e tij për të djathtën ekstreme të Evropës dhe shoqëria e tij me presidentin rus, Vladimir Putin. Në fillim liderët evropianë u përgjigjën me lajka. Por, më pak në muajt e fundit.
Që nga janari, ndërsa udhëheqësit evropianë janë përpjekur ta përkrahin sa më shumë Ukrainën në luftën kundër fqinjit të saj më të madh, Trumpi ka ndryshuar qëndrim, duke u dukur një muaj se po mbështet Ukrainën e në muajin tjetër se po e mbështet Rusinë. Ai kryesisht ka mbetur kritik ndaj Evropës, dhe kjo kritikë tani ka një teh më të mprehtë.
Udhëheqësit evropianë kanë punuar për ta mbushur boshllëkun dhe për ta forcuar mbështetjen ushtarake për Ukrainën, por ata pranojnë se SHBA-ja është partnere e pazëvendësueshme dhe Trumpi është i vetmi person me të cilin Putin ndoshta mund të flasë në paqe.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, paralajmëroi javën e kaluar “se po jemi dëshmitar të një momenti kthese dhe asgjë nuk është si më parë”.
“Po jetojmë në një kohë tjetër dhe kjo kohë kërkon përgjigje të ndryshme nga ato që kemi dhënë në të kaluarën”, tha Merz.
Evropa nis të përgjigjet
Javë pasi Trump u rikthye në detyrë në janar, administrata e tij sinjalizoi se interesat e sigurisë së SHBA-së qëndrojnë diku tjetër. Ai tha se Evropa tash duhet të kujdeset për veten dhe Ukrainën, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ishte poshtëruar në një takim në Shtëpinë e Bardhë në shkurt.
Ditë më vonë, zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, u takua me një udhëheqës të ekstremit të djathtë në Gjermani, duke pretenduar se liria e fjalës është duke pësuar goditje në Evropë. Ndaj tij pati akuza se po ndërhyn në zgjedhje.
Temat e Vances u pasqyruan këtë muaj në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së. Në atë tekst u sulmuan politikat e migracionit të BE-së, u sugjerua se Evropa përballet me “perspektivën e fshirjes së civilizimit” dhe mund të mos jetë e besueshme si një partnere e Amerikës.
Judy Dempsey nga think-tanku “Carnegie Europe” tha se “Evropa nuk ka zgjidhje tjetër pos të përgjigjet”.
“Evropa dhe pjesa tjetër e botës tanimë e di se sa keq i konsideron kjo administratë amerikane dhe s’mund të vazhdojnë të pretendojë ndryshe”, tha Dempsey.
Merz tashmë flet më me ton.
“Ne në Evropë, dhe kështu edhe në Gjermani, duhet të bëhemi shumë më të pavarur nga SHBA-ja në aspektin e politikës së sigurisë. Kjo nuk është një befasi, por është konfirmuar përsëri”, tha Merz.
Plane të dobëta dhe marrëveshje të reja tregtare
Një tjetër dokument shqetësues për BE-në qarkulloi muajin e kaluar: plani 28-pikësh i administratës Trump për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, që u tha se ishte hartuar bashkë me Rusinë. Ai përmbante kërkesa të vjetra të Kremlinit, premtime për mundësi biznesi ruse dhe një thirrje për ta rehabilituar Putinin në skenën botërore.
Ishte kryesisht i papranueshëm për Ukrainën dhe mbështetësit e saj evropianë. Por, jo edhe për Rusinë pasi përpiqet të shkaktojë përçarje mes SHBA-së dhe aleatëve. Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, tha se Trumpi është “lideri i vetëm perëndimor” që tregon “një kuptim për arsyet që e bën luftën në Ukrainë të pashmangshme”.
Në prill, në të ashtuquajturën Ditë Çlirimi, Trumpi njoftoi për tarifa gjithpërfshirëse në të gjithë botën me pretekstin për ta mbrojtur sigurinë kombëtare. Ai tha se “vendi ynë është plaçkitur vazhdimisht dhe përdhunuar” nga kombet e tjera, përfshirë aleatët e SHBA-së në organizatën më të madhe të sigurisë në botë, NATO.
Trumpi shpalli emergjencë ekonomike. Në korrik, ai dhe BE-ja ranë dakord për një kornizë tregtare që vendoste një tarifë prej 15 për qind për shumicën e mallrave, duke shmangur detyrimet shumë më të larta të importit.
Përgjigjja e BE-së ka qenë të kërkojë marrëveshje me partnerë të tjerë të braktisur, veçanërisht në të gjithë Azinë. Blloku më i madh tregtar në botë ka pranuar gjithashtu se tarifat më të larta ishin ndoshta çmimi më i mirë për t’u paguar për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për Ukrainën.
Heqja e frenit mbrojtës të BE-së
Të shqetësuar nga përçarja tregtare, evropianët në NATO prapë ranë dakord me kërkesën e Trumpit që të investojnë 5 për qind të Bruto Produktiv Vendor për mbrojtje, megjithatë mbetet e paqartë nëse shumë do ta arrijnë objektivin deri në vitin 2035. Vendet anëtare e kishin të vështirë edhe ta përmbushnin objektivin e vjetër prej 2 për qind.
Megjithatë BE-ja që atëherë ka hequr dorë nga frenat e shpenzimeve të mbrojtjes dhe synon të jetë e aftë të mbrohet kundër një sulmi nga jashtë deri më 2030. Zyrtarët besojnë se Putini mund të urdhërojë sulm diku tjetër në Evropë në tre apo pesë vjet nëse Rusia e mposht Ukrainën.
Në paralajmërimet e reja këtë javë, Blaise Metreweli, kreu i ri i agjencisë britanike të inteligjencës MI6, tha se “eksporti i kaosit” të Putinit do të vazhdojë derisa ai “të detyrohet t’i ndryshojë llogaritjet e tij”.
Kreu i Forcave të Armatosura Britanike, Richard Knighton, tha se qëllimi i udhëheqësit rus është “ta sfidojë, kufizojë, ndajë dhe në fund të fundit ta shkatërrojë NATO-n”.
Samiti i BE-së i së enjtes, me fokusin e tij në financimin e ekonomisë dhe përpjekjeve ushtarake të Ukrainës gjatë dy vjetëve të ardhshëm, është një hap tjetër pa SHBA-në. Presidenti i Këshillit të BE-së, Antonio Costa, që do ta kryesojë takimin, ka paralajmëruar t'i mbajë udhëheqësit në selinë e BE-së për ditë të tëra derisa të arrihet një marrëveshje.