Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Rusia planifikon ta ndërtojë një central bërthamor në Hënë brenda dekadës së ardhshme

Hëna e Kuqe

Hëna e Kuqe (Foto: Arian Mavriqi)

Rusia planifikon ta ndërtojë një central bërthamor në Hënë në dekadën e ardhshme për ta furnizuar me energji programin e saj hapësinor hënor dhe Stacionin e përbashkët kërkimor ruso-kinez, ndërsa fuqitë e mëdha po nxitojnë ta eksplorojnë satelitin e vetëm natyror të Tokës, raporton agjencia “Reuters”. 

Që kur astronauti sovjetik Yuri Gargarin u bë njeriu i parë që shkoi në hapësirë më 1961, Rusia është krenuar si një fuqi kryesore në eksplorimin e hapësirës. Por, në dekadat e fundit ajo ka mbetur prapa SHBA-së dhe Kinës. 

Ambiciet e Rusisë pësuan një goditje të madhe në gusht të vitit 2023, kur misioni i saj pa pilot “Luna-25” u përplas në sipërfaqen e Hënës, ndërsa përpiqej të ulej, dhe Elon Musk ka revolucionarizuar lëshimin e mjeteve hapësinore – dikur një specialitet i Rusisë. 

Agjencia Hapësinore Ruse, Roscosmos, në një deklaratë tha se planifikon ndërtimin e një centrali elektrik hënor deri në vitin 2036 dhe nënshkroi një kontratë me kompaninë hapësinore Asociacioni Lavochkin, për ta bërë këtë. 

Roscosmos tha se qëllimi i centralit është që ta furnizojë me energji programin hapësinor hënor të Rusisë, duke përfshirë roverët, një observator dhe infrastrukturën e Stacionit të përbashkët ndërkombëtar të kërkimit hënor ruso-kinez. 

“Projekti është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një stacioni shkencor hënor që funksionon përgjithmonë dhe kalimit nga misionet e njëhershme në një program afatgjatë të eksplorimit hënor”, tha Roscosmos. 

Edhe NASA planifikon të vendosë reaktor bërthamor në Hënë deri në vitin 2030 Botë NASA planifikon të vendosë reaktor bërthamor në Hënë deri në vitin 2030

Roscosmos nuk e tha qartazi se centrali do të ishte bërthamor, por tha se pjesëmarrësit përfshinin korporatën shtetërore bërthamore ruse Rosatom dhe Institutin Kurchatov, instituti kryesor i kërkimit bërthamor i Rusisë. 

Kreu i Roscosmos, Dmitry Bakanov, tha në qershor se një nga qëllimet e korporatës ishte të vendoste një central bërthamor në Hënë dhe të eksploronte Venerën, i njohur si planeti “motër” i Tokës. 
Hëna, e cila është 384 mijë e 400 kilometra larg Tokës, rregullon lëkundjet e Tokës në boshtin e saj, gjë që siguron një klimë më të qëndrueshme. Po ashtu shkakton batica në oqeanet e botës.