Ministria franceze e Mbrojtjes ka njoftuar se ka testuar për herë të parë raketën e re balistike M51.3, e cila lëshohet nga nëndetëset.
Testimi u zhvillua në një kohë kur tensionet mes Francës dhe Rusisë janë rritur.
Raketa u lëshua në brigjet e Bretanjës dhe nuk kishte kokë bërthamore, raporton Reuters.
Testimi kishte për qëllim të verifikonte nëse nëndetësja bërthamore “Le Vigilant” është gati për ta përdorur raketën, pas një procesi mirëmbajtjeje dhe modernizimi.
Ministria franceze ka bërë të ditur se raketa u lëshua pa ngarkesë dhe në përputhje të plotë me detyrimet ndërkombëtare.
Edhe pse në njoftimin zyrtar nuk përmendej Rusia, testimi ndodhi pak ditë pasi presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi Perëndimin të mos përshkallëzojë tensionet lidhur me Ukrainën, duke iu referuar edhe Kaliningradit, enklavës ruse të rrethuar nga Polonia dhe Lituania.
Presidenti francez Emmanuel Macron tha se Franca është sot më e fortë dhe se mesazhi i saj është dërguar “qartë dhe fort”.
VIDEO:
🇫🇷 France tested a new ballistic missile
— Visegrád 24 (@visegrad24) October 6, 2026
The Defense Ministry said it carried out the first launch of the M51.3 from a nuclear submarine. The missile carried no nuclear warhead and fell in the northern Atlantic, several hundred kilometers off the coast. President Emmanuel Macron… pic.twitter.com/DLNOKEHS7X
Në mars, Macron njoftoi se Franca do të zgjerojë arsenalin e saj bërthamor dhe propozoi bashkëpunim më të madh me aleatët evropianë, përfshirë stërvitje të përbashkëta dhe mundësinë e vendosjes së përkohshme të mjeteve të afta për të mbajtur armë bërthamore në territorin e vendeve aleate.
Franca shpenzon rreth 5.6 miliardë euro në vit për mirëmbajtjen e arsenalit të saj prej rreth 290 armësh bërthamore, të lëshuara nga nëndetëset dhe avionët.
Katër nëndetëse me raketa balistike përbëjnë bazën e kapaciteteve bërthamore franceze në det.
M51.3 është versioni më i ri i kësaj rakete dhe është pjesë e programit të modernizimit të arsenalit bërthamor francez. Franca nuk publikon zyrtarisht rrezen e saj, por vlerësimet publike e vendosin atë në rreth 9 mijë kilometra ose më shumë.