Moska zyrtare ka thënë të enjten se ende ka hapësirë për negociata midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara dhe ka paralajmëruar se çdo përdorim force kundër Teheranit do të kishte pasoja të rrezikshme dhe do të shkaktonte kaos në të gjithë Lindjen e Mesme.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka komentuar situatën një ditë pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i kërkoi Iranit të ulej në tryezën e bisedimeve dhe të arrinte një marrëveshje për armët bërthamore, ose do të përballej me një sulm të mundshëm të SHBA-së.
"Ne vazhdojmë t'u bëjmë thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje dhe të heqin dorë nga çdo përdorim force për të zgjidhur çështjet. Është e qartë se potenciali për negociata është larg të qenit i shteruar... Ne duhet të përqendrohemi kryesisht në mekanizmat negociuee”, u ka thënë Peskov gazetarëve.
"Çdo veprim i dhunshëm mund të krijojë vetëm kaos në rajon dhe të çojë në pasoja shumë të rrezikshme në drejtim të destabilizimit të sistemit të sigurisë në të gjithë rajonin”, ka shtuar Peskov.
Rusia ka krijuar lidhje më të ngushta me Iranin që nga fillimi i luftës së tij në Ukrainë dhe ka nënshkruar një traktat partneriteti strategjik 20-vjeçar me Republikën Islamike në janar 2025.