Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë sulme, shtatë të vdekur e dhjetëra të plagosur

Ukraine

Foto: Associated Press

Rusia dhe Ukraina kanë shkëmbyer sulme të fuqishme natën e së shtunës, të cilat kanë shkaktuar vdekjen e civilëve dhe plagosjen e shumë të tjerëve në të dyja anët, kanë njoftuar autoritetet lokale.

Në rajonin kufitar rus të Belgorodit, dronët ukrainas kanë vrarë pesë persona dhe kanë plagosur dhjetëra të tjerë, përfshirë një djalë 4-vjeçar, sipas administratës rajonale.

Ndërkohë, raketat ruse kanë goditur një pallat shumëkatësh në distriktin Saltivskyi të Harkivit, duke vrarë dy persona dhe plagosur 13 të tjerë, sipas kreut të rajonit, Oleh Syniehubov. Tetë persona të tjerë janë plagosur në portin ukrainas të Odesës në Detin e Zi, pasi “dhjetëra raketa dhe dronë” goditën qytetin dhe zonat përreth, sipas kreut të administratës lokale, Oleh Kiper.

Sulmet masive me raketa ruse ndaj qyteteve ukrainase janë bërë pothuajse të zakonshme gjatë javëve të fundit, ndërsa Moska po shfrytëzon mungesën kritike të raketave për interceptuesit e sistemeve amerikane Patriot në Ukrainë — arma e vetme e mbrojtjes ajrore në arsenalin e saj që është në gjendje të rrëzojë raketat balistike.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka lobuar prej muajsh te vendet e tjera, veçanërisht te SHBA-ja, që t’i dërgojnë Ukrainës më shumë sisteme Patriot, të cilat janë bërë edhe më të pakta për shkak të luftës me Iranin. Ai argumenton se këto sisteme janë thelbësore për mbrojtjen e civilëve.

Edhe Pesë të vdekur nga sulmet ruse në Ukrainë Botë Pesë të vdekur nga sulmet ruse në Ukrainë

Në pamundësi për ta realizuar këtë, Zelensky dëshiron që municionet për sistemet Patriot të prodhohen në Ukrainë.

Ndërkohë, Kievi ka vazhduar sulmet me dronë me rreze të gjatë ndaj infrastrukturës energjetike ruse, si dhe ndaj shitësit më të madh online në vend, Ëildberries, dhe objektivave të tjera thellë brenda territorit rus, duke shkaktuar një krizë të furnizimit me karburant.