Në kohën kur përplasjet midis SHBA-së dhe Evropës janë thelluar për një sërë çështjesh, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e ka përçuar nga Munihu një mesazh uniteti. Tek ka thënë se dy fuqitë janë bashkë, ai ka pasur edhe disa kritika. Kritika ka shprehur edhe kryeministri britanik, Keir Starmer, që Evropën e ka quajtur një “gjigant i fjetur”
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i ka quajtur Shtetet e Bashkuara si fëmijë të Evropës në mesazhin e unitetit përçuar aleatëve perëndimorë nga Konferenca e sigurisë në Munih të Gjermanisë.
Ai ka ofruar garanci, por edhe kritika për aleatët pas një viti tensionesh në marrëdhëniet transatlantike, për çka liderë kryesorë evropianë bënë përpjekje të projektojnë pavarësinë dhe fuqinë e tyre, duke i ruajtur njëkohësisht edhe raportet me administratën e presidentit, Donald Trump.
Në fjalimin në Munih, Rubio ka thënë se përkundër të gjithave, partneriteti transatlantik mbetet jetik për përballjen me kërcënime globale.
“Ne bëmë gabime së bashku dhe tani së bashku ua kemi borxh popujve tanë të përballemi me këto fakte dhe të ecim përpara për të rindërtuar. Nën presidentin Trump, Shtetet e Bashkuara do të marrin përsëri përsipër detyrën e ripërtëritjes dhe restaurimit. Kjo është arsyeja pse ne amerikanët ndonjëherë mund të dukemi pak të drejtpërdrejtë dhe urgjentë në këshillat tona. Kjo është arsyeja pse presidenti Trump kërkon seriozitet dhe reciprocitet nga miqtë tanë këtu në Evropë”, ka thënë sekretari amerikan i Shtetit.
Ai ka theksuar po ashtu se fundi i epokës transatlantike nuk është as qëllimi dhe as dëshira e SHBA-së.
Këto garanci, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i ka cilësuar shumë qetësuese porse e ka përsëritur theksin për nevojën që Evropa të bëhet më e pavarur, përfshirë edhe në fushën e mbrojtjes.
“E dimë që në administratën amerikane disa kanë ton më të ashpër mbi këto tema, por Sekretari i Shtetit ishte shumë i qartë. Ai tha se duam një Evropë të fortë në aleancë dhe për këtë po punojmë intensivisht në Bashkimin Evropian. Ne duhet të jemi një Evropë e pavarur, jo një Evropë që mbështetet te dikush”, ka thënë Von der Leyen.
Qëndrim më të prerë ka pasur kryeministri britanik, Keir Starmer, i cili e ka quajtur Evropën “gjigant të fjetur”. E për të qëndruar në këmbë të veta, ai u ka bërë thirrje vendeve evropiane që janë anëtare të NATO-së të vendosin lidhje më të ngushta.
“Kjo do të thotë të veprojmë së bashku për të ndërtuar një Evropë më të fortë dhe një NATO më evropiane, të mbështetur në lidhje më të thella midis Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së. Pra, në vend që të pretendojmë se thjesht mund t’i zëvendësojmë të gjitha aftësitë e SHBA-së, duhet të përqendrohemi në diversifikimin dhe zvogëlimin e disa varësive”, ka deklaruar kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar.
Konferenca e Munihut ka nisur të premten dhe do t’i vazhdojë punimet deri të dielën.