Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e ka hapur fjalimin e shumëpritur në Konferencën e Sigurisë në Munih të shtunën duke i vënë theks rëndësisë historike të aleancës mes Evropës dhe Amerikës që “e ka shpëtuar botën” nga kërcënimet e së kaluarës.
Ruboi pohoi se SHBA-ja ndonjëherë mund të jetë disi “direkte”, por siguroi udhëheqësit evropianë se Administrata Trump është e përkushtuar ndaj aleancës.
“Derisa jemi të përgatitur nëse është e nevojshme ta bëjmë këtë vetëm, por ne preferojmë she shpresojmë ta bëjmë me ju, miqtë tanë këtu në Evropë”, ka thënë ai.
“SHBA-ja dhe Evropa i përkasin njëra-tjetrës”, shtoi Rubio duke theksuar rëndësinë e partneritetit prej dekadash që është vënë nën presion të madh gjatë mandatit të dytë të presidentit Donald Trump.
Megjithatë, Rubio e bëri të qartë se administrata amerikane beson se rruga përpara kërkon një ndryshim në atë se si shtetet punojnë së bashku.
“Ne duam aleatë që janë krenarë me kulturën dhe trashëgiminë e tyre... dhe bashkë me ne janë të gatshëm dhe të aftë t’i mbrojnë ato”.
Rubio ka shtuar gjithashtu se, ndonëse organizatat e vjetra ndërkombëtare nuk kanë nevojë të shpërbëhen, ato duhet urgjentisht të rindërtohen dhe të reformohen për t’iu përgjigjur sfidave të reja.
Ai u shpreh se OKB-ja ka “potencial të jashtëzakonshëm”, por nuk ka arritur të zgjidhë luftën në Gaza apo në Ukrainë, duke u dëshmuar “e pafuqishme” herë pas here.
“Në një botë të përsosur, të gjitha këto probleme dhe shumë të tjera do të zgjidheshin nga diplomatët dhe rezolutat me formulime të forta. Por ne nuk jetojmë në një botë të përsosur dhe nuk mund të vazhdojmë të lejojmë që ata që haptazi dhe pa drojë kërcënojnë qytetarët tanë dhe rrezikojnë stabilitetin tonë global të fshihen pas abstraksioneve të së drejtës ndërkombëtare, të cilën vetë e shkelin rregullisht".
Starmer: Evropa është një “gjigant i fjetur”, na duhet një NATO më evropiane
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, tha se Evropa është një "gjigant i fjetur", ndërsa u bëri thirrje anëtarëve evropianë të NATO-s të punojnë së bashku për "efekt të madh" përballë agresionit rus.
"Ne duhet të ecim përpara së bashku për të krijuar një NATO më evropiane. Sipas mendimit tim, Evropa është një gjigant i fjetur", tha Starmer në fjalimin e tij në Konferencën e Sigurisë në Munih të shtunën.
"Ekonomitë tona i tejkalojnë ato të Rusisë më shumë se 10 herë. Ne kemi aftësi të mëdha mbrojtëse, megjithatë shumë shpesh kjo arrin në më pak se shuma e pjesëve të saj", shtoi ai.
Udhëheqësi britanik theksoi se ndërsa SHBA-ja mbetet një aleat i domosdoshëm, strategjia e sigurisë kombëtare e SHBA-së do të thotë që Evropa duhet të marrë përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen e vet. "Kjo është normalja e re", theksoi ai.
Starmer tha se Evropa duhet të jetë e gatshme të ndërtojë një "fuqi të fortë" dhe të jetë e gatshme të luftojë, nëse është e nevojshme, raportoi CNN.
“Kjo është monedha e epokës, ne duhet të jemi në gjendje të pengojmë agresionin dhe po, nëse është e nevojshme, duhet të jemi të gatshëm të luftojmë, të bëjmë gjithçka që duhet për të mbrojtur popullin tonë, vlerat tona dhe mënyrën tonë të jetesës”, tha Starmer.
Von der Leyen: Një Evropë e pavarur është një Evropë e fortë
Asnjë “tabu” nuk mund të mbetet e pakontestueshme në lidhje me mbrojtjen evropiane, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Konferencën e Sigurisë në Munih të shtunën, ndërsa foli për nevojën për një strategji të re evropiane të sigurisë.
Duke iu referuar mënyrës se si blloku ka mbetur i palëkundur në mbështetjen e tij për Ukrainën, Von der Leyen tha: “Ky është një zgjim i vërtetë evropian dhe ky është vetëm fillimi i asaj që duhet të bëjmë.”
Ajo foli për nevojën për një strategji të re evropiane të sigurisë dhe për të “formalizuar fillimet ad hoc të bashkëpunimeve të reja të sigurisë”, raportoi CNN.
Von der Leyen theksoi tutje rëndësinë e pavarësisë evropiane, duke shtuar se Evropa duhet të "ngrihet" dhe të marrë përsipër përgjegjësinë e saj.
"Një Evropë e pavarur është një Evropë e fortë dhe një Evropë e fortë përbën një aleancë transatlantike më të fortë. Disa vija janë kaluar që nuk mund të kalohen më".