Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Rreth 250 të zhdukur nga përmbysja e një anije në Oqeanin Indian

Anija

Rreth 250 rohingya dhe bangladeshas, përfshirë fëmijë, rezultojnë të zhdukur pasi anija e tyre u përmbys javën e kaluar në Detin Andaman, sipas agjencive të Kombeve të Bashkuara për refugjatët dhe migracionin.

Anija e peshkimit, e cila ishte nisur nga Bangladeshi drejt Malajzisë, thuhet se është fundosur për shkak të erërave të forta, detit të trazuar dhe mbingarkesës, kanë thënë agjencitë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Nuk është e qartë se kur është përmbysur anija, por më 9 prill, një anije me flamur të Bangladeshit shpëtoi nëntë persona që “po kapeshin pas bidonëve dhe mbetjeve prej druri” për të qëndruar mbi ujë, ka thënë roja bregdetare.

Qindra mijëra rohingya, një nga pakicat etnike të Birmanisë, kanë ikur përtej kufirit drejt Bangladeshit që nga një goditje e përgjakshme në vitin 2017.

Rohingyat, të cilët janë kryesisht myslimanë, nuk njihen si qytetarë nga qeveria e Birmanisë, një vend me shumicë budiste.

Megjithatë, kushtet e vështira të jetesës në Bangladesh kanë shtyrë disa rohingya të ndërmarrin udhëtime të rrezikshme me anije të mbingarkuara drejt Malajzisë, një vend mysliman që disa e shohin si një strehë të sigurt në rajon.

Duke cituar të mbijetuarit e incidentit të javës së kaluar, një anëtar i rojës bregdetare, i cili kërkoi të mbetej anonim, i ka thënë BBC-së se ata ishin nisur nga Bangladeshi drejt Malajzisë më 4 prill “me shpresën për një jetë më të mirë”.

Ai ka shtuar se më 7 ose 8 prill, anija e tyre është përfshirë nga një stuhi.

“Ata mbetën duke notuar në det për gati dy ditë, duke u kapur pas bidonëve dhe copave të drurit”, ka shtuar ai.

Rafiqul Islam, një nga të mbijetuarit, i ka thënë AFP-së se kishte qëndruar duke notuar për rreth 36 orë para se të shpëtohej, duke shtuar se ishte djegur nga nafta që ishte derdhur nga anija.
40-vjeçari ka thënë se premtimi për një punë në Malajzi ishte arsyeja që e bindi të hipte në anije.