Pas katër vjetësh në hije, ish-kryeministri çek dhe miliarderi Andrej Babish është rikthyer fuqishëm në skenën politike, duke e udhëhequr lëvizjen e tij ANO drejt fitores më të madhe që nga themelimi. Fitorja e tij shënon një kthesë të madhe në politikën e brendshme dhe të jashtme të Çekisë, me paralajmërime për një orientim më skeptik ndaj BE-së dhe më të afërt me kampin prorus. Babishi ka premtuar të ndalë ndihmën për Ukrainën dhe të rishikojë angazhimet e vendit ndaj NATO-s. Në planin e brendshëm, ai përballet me akuza për mashtrim dhe sfida për të siguruar një shumicë parlamentare. Rikthimi i tij ka ndezur debat për të ardhmen evropiane të Çekisë dhe rolin e saj në rajon.
Por, pas katër vjetësh larg qendrës së politikës, miliarder njëherësh ish-kryeministri Babish është rikthyer “fuqishëm” në skenën politike të Çekisë.
Fitorja e lëvizjes së tij ANO (Aksioni i Qytetarëve të Pakënaqur) në zgjedhjet parlamentare në Çeki shënon jo vetëm kthesë të rëndësishme në politikën e brendshme çeke, por edhe ndryshim të theksuar në qëndrimin ndërkombëtar të vendit, sidomos në raport me Ukrainën dhe Bashkimin Evropian (BE).
Rikthimi i papritur, por i fuqishëm
Lëvizja ANO e krijuar nga Babishi për t'iu kundërvënë partive politike kryesore u mposht në zgjedhjet e mbajtura në tetor të vitit 2021 nga një koalicion grupesh properëndimore. Pritej që udhëheqësi populist ta mbante premtimin e tij për t'u larguar, në vend që të përfundonte në opozitë. Mirëpo, ai e bëri të kundërtën: nisi një fushatë agresive kundër qeverisë, duke fajësuar koalicionin qeverisës për çdo problem, nga kriza energjetike e deri te inflacioni në rritje.
Ai premtoi të shfuqizojë rritjen e moshës së pensionit dhe të ndalojë ndihmën për Ukrainën, teksa përqeshte kryeministrin Petr Fiala duke thënë se ai është kryeministër më i mirë i Ukrainës sesa i Çekisë.
Të shtunën e javës që shkoi, ANO shënoi fitoren më të madhe zgjedhore që nga themelimi i saj në vitin 2011.
“Për mua është kulmi i karrierës sime politike”, ka deklaruar 71-vjeçari Babish, i cili ishte anëtar i Partisë Komuniste para Revolucionit të Kadifenjtë të vitit 1989 në ish-Çekosllovaki, i cili në shumë raste krahasohet me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump.
Çekia në një linjë me Hungarinë dhe Sllovakinë
Fitorja e miliarderit Babishit nënkupton një ndryshim të dukshëm në politikën e jashtme të Çekisë.
Ndërkohë që qeveria e mëparshme ishte ndër mbështetësit më të zëshëm të Ukrainës, Babishi pritet t’i bashkohet kampit prorus të udhëhequr nga Viktor Orbani i Hungarisë dhe Robert Fico i Sllovakisë. Të dy këta liderë kanë refuzuar ndihmën ushtarake për Ukrainën, vazhdojnë të importojnë naftë nga Rusia dhe të kundërshtojnë sanksionet e vendosura saj.
Babishi ka njoftuar se po planifikon të braktisë një iniciativë çeke të njohur ndërkombëtarisht për blerjen e predhave të artilerisë për Ukrainën në tregje jashtë vendeve të Bashkimit Evropian. Ai gjithashtu kundërshton një angazhim të NATO-s për të rritur shpenzimet e mbrojtjes dhe kritikoi marrëveshjen për blerje të 24 aeroplanëve luftarakë amerikanë F-35 nga Shtetet e Bashkuara.
Një partneritet i ri në Evropë
Në nivel evropian, Babishi tashmë i kishte bashkuar forcat me mikun e tij Orbanin për të krijuar një aleancë të re në Parlamentin Evropian “Patriotët për Evropën”. Kjo aleancë përfaqëson grupet e ekstremit të djathtë që kritikojnë politikat e BE-së për migracionin dhe klimën dhe që favorizojnë sovranitetin kombëtar.
Tomash Weiss, profesor i asociuar i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Charles në Pragë, ka theksuar se pret që Babishi të ketë një qasje pragmatike ndaj BE-së për shkak të interesave të tij në biznes.
“Babishi mund të jetë një kritik i zëshëm i BE-së në vend, por nuk do të paraqiste pengesa të mëdha në Bruksel. Fico dhe Orban mund të jenë duke festuar, por ata nuk janë lojtarët që kanë rëndësi në nivel evropian”, ka theksuar Weiss.
Problemet e së kaluarës
Babishi pati ndikimin e tij të parë në skenën politike çeke në zgjedhjet e vitit 2013, kur ANO doli partia e dytë më e madhe. Ai shërbeu si ministër i Financave dhe më pas i fitoi zgjedhjet në vitin 2017, duke formuar një qeveri minoritare me socialdemokratët dhe mbështetjen e komunistëve.
Ndër lëvizjet e tij ishte propozimi për uljen e taksave mbi birrën— politikë që gjeti përkrahje midis çekëve që e duan birrën.
Karriera e tij ka qenë e mbushur me skandale.
Si pronar i konglomeratit “Agrofert” të rreth 200 kompanive bujqësore, ushqimore, kimike dhe mediatike, Babishi u përball me akuza se zyrtarët e Ministrisë së Financave përdorën pushtetin e tyre për t’i detyruar konkurrentët e tij të falimentonin me detyrim. Duke pasur frikë nga një kombinim pasurie dhe pushteti, Parlamenti miratoi një ligj që e detyroi Babishin të transferonte “Agrofertin” në një fond besimi të pavarur, ku ai nuk kishte më kontroll të drejtpërdrejtë. Ai u shkarkua përfundimisht nga posti i ministrit të Financave në vitin 2017 për shkak të marrëveshjeve të pashpjegueshme të biznesit.
Gjatë mandatit të tij të trazuar në detyrë, policia rekomandoi që ai të paditet për mashtrim të dyshuar që përfshinte subvencionet e Bashkimit Evropian. Mbi 250 mijë njerëz dolën në rrugë — në demonstratat më të mëdha që nga viti 1989 — dy herë në vitin 2019, për të kërkuar dorëheqjen e Babishit për shkak të skandaleve të tij, përfshirë konfliktin e interesit mbi subvencionet e BE-së.
Ai u godit nga një tjetër skandal në vitin 2021 që e lidhi atë dhe qindra njerëz të tjerë të pasur me llogari jashtë vendit në gjetjet e quajtura “Pandora Papers”.
Pavarësisht protestave masive në rrugë dhe humbjes në zgjedhjet presidenciale të vitit 2023, Babishi arriti të ruante popullaritetin te një pjesë e konsiderueshme e votuesve. Ai humbi zgjedhjet parlamentare pak kohë më pas dhe dy vjet më vonë u mund në një garë për postin kryesisht ceremonial të presidentit nga Petr Pavel , gjeneral në pension i ushtrisë.
Sfida përpara Babishit
Edhe pse u rikthye në politikë me një fitore të madhe, Babishi përballet me sfida e pengesa të shumta. Ai akuzohet për mashtrim në rastin e subvencioneve të BE-së dhe Parlamenti i ri do të duhet t'ia heqë imunitetin zyrtar deri në një vendim të gjykatës.
Ai gjithashtu duhet të përmbushë kërkesat e një ligji të ndryshuar për konfliktin e interesave. Legjislacioni aktual nuk lejon transferimin e pronësisë te trustet ose te të afërmit.
Meqenëse nuk ka shumicë në Dhomën e Ulët të Parlamentit, Babishi do të duhet të qeverisë vetëm me mbështetjen e heshtur të partive të ekstremit të djathtë.
Një tjetër mundësi është të qeverisin së bashku me një shumicë të mjaftueshme.
Me njërën nga këto parti, Babishi ndan refuzimin e politikave të BE-së për klimën dhe migracionin, si dhe çështje të tjera, ndërsa tjetra dëshiron ta nxjerrë vendin nga BE-ja dhe NATO-ja, gjë që nuk është në linjë me politikën e tij.
E ardhmja mbetet e paqartë
Ekzistojnë gjithashtu pikëpyetje mbi stabilitetin e çdo mbështetjeje nga Partia e Lirisë, e cila kandidoi me një listë të përbashkët me tri grupe ekstremiste periferike, me mundësinë që mosmarrëveshjet mbi çështje të shumta të dalin në dritë së shpejti.
“Po hyjmë në një të ardhme të panjohur”, ka thënë për televizionin publik çek analistja Vladimira Dvorakova nga Universiteti Teknik Çek në Pragë.
Sipas saj, rikthimi i Babishit në skenën politike do të thotë se Çekia ka hyrë në një fazë të re politike, më skeptike ndaj BE-së, më afër politikave të djathta nacionaliste dhe me një distancim të qartë nga Ukraina — ndryshim që mund të ketë pasoja të gjera në të gjithë rajonin.
(Përktheu Marigona Redenica)