Botë

Regjisori i Titanikut thotë se OceanGate ishte paralajmëruar për rrezikun

Regjisori hollivudian, James Cameron, i cili drejtoi filmin e Titanikut, i ka thënë BBC-së se menjëherë kishte dyshuar për një katastrofë kur dëgjoi se nëndetësja Titan kishte humbur navigacionin dhe komunikimin njëkohësisht. Ai vetë është zhytur 33 herë deri në rrënojat e Titanikut.

Ai ka thënë se ishte në një anije të dielën kur nëndetësja u zhduk.

“Komunikimi u humbi dhe navigacioni po ashtu – dhe menjëherë thash, nuk mund ta humbësh edhe komunikimin dhe navigacionin bashkë pa ndonjë ngjarje katastrofe ose ngjarje energjetike katastrofike. Gjëja e parë që më shkoi ndërmend ishte një shpërthim”.

Cameron ka thënë se ai e dinte se nëndetësja ishte saktësisht nën thellësinë ku dihej se ishte pozicionuar së fundi pa humbur kontaktin. “Saktësisht aty e gjetën”.

Ai ka shtuar se humbja e Titanit dhe ekipit të tij është “ironi e tmerrshme”, duke e ngjasuar me humbjen e Titanikut më 1912.

“Tani kemi një tjetër rrënojë që bazohet në fatkeqësisht të njëjtat parime të mosdëgjimit të paralajmërimeve”, ka theksuar ai. “OceanGate u paralajmërua”.

Sipas tij, ka pasur njerëz që kanë punuar në kompani dhe e kanë lënë punën, por nuk ka treguar pse.

Cameron ka deklaruar se dikush nga komuniteti i zhytësve, pa përfshirë veten, i kishte shkruar letër OcenGatet duke i thënë se besonin se, siç ka thënë ai, “po shkonin në një rrugë drejt katastrofës”.

Cameron nuk është i pari që ka ngritur shqetësime lidhur me aktivitetet e kompanisë turistike OceanGate.

Një letër dërguar OceanGate nga Shoqëria e Teknologjisë Detare (MTS) në mars të vitit 2018 dhe e marrë nga New York Times thoshte se “qasja aktuale 'eksperimentale' e miratuar nga OceanGate... mund të çojë në rezultate negative (nga të vogla në katastrofike)”.

Edhe dokumentet e një gjykate amerikane tregojnë se një ish-punonjës i OceanGate paralajmëroi për probleme të mundshme të sigurisë qysh në vitin 2018.

Dokumentet tregojnë se David Lochridge, drejtori i operacioneve detare të kompanisë, ngriti shqetësime në një raport inspektimi.

Nëndetësja Titan u zhduk më 18 qershor. Tani ajo besohet se ka shpërthyer dhe si pasojë e kësaj, OceanGate, më 22 qershor ka deklaruar se të pesë pasagjerët në bord besohet se kanë vdekur.