Botë

Amerikanët zbulojnë arsyen e shpërthimit të nëndetëses “OceanGate”

“OceanGate”

Nëndetësja Titan e kompanisë “OceanGate” shpërtheu gjatë zhytjes drejt rrënojave të Titanikut për shkak të mangësive serioze inxhinierike dhe mungesës së testimeve të nevojshme, sipas një raporti zyrtar amerikan. Të pesë personat që ishin në bord vdiqën, shkruan BBC.

Raporti i Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit të SHBA-së (NTSB) zbulon se procesi inxhinierik pas ndërtimit të mjetit ishte “i papërshtatshëm”, duke sjellë defekte që bënë që Titan të mos përmbushte standardet e kërkuara të forcës dhe qëndrueshmërisë.

Sipas NTSB-së, kompania nuk e kishte testuar në mënyrë adekuate nëndetësen dhe nuk e dinte forcën e saj reale. Për më tepër, Titan ishte i dëmtuar dhe duhej të ishte hequr nga përdorimi përpara zhytjes së fundit fatale.

Tragjedia ndodhi në qershor të vitit 2023, kur nëndetësja u zhduk në Oqeanin Atlantik Verior gjatë një zhytjeje drejt rrënojave të Titanikut.

Në gusht të vitit 2025, Rojat Bregdetare të SHBA-së publikuan gjithashtu një raport, ku thuhej se incidenti ishte “i parandalueshëm”, duke kritikuar praktikat e pasigurta dhe të gabuara të kompanisë “OceanGate”.

Në bord ndodheshin pesë persona, përfshirë drejtorin ekzekutiv të “OceanGate”, Stockton Rush, i cili po e pilotonte nëndetësen në udhëtimin e saj të fundit. Viktimat e tjera ishin eksploruesi i njohur i thellësive Paul-Henri Nargeolet, biznesmeni pakistanez Shahzada Dawood dhe i biri Suleman Dawood (19 vjeç), si dhe miliarderi britanik Hamish Harding.

Secili prej tyre kishte paguar 25 mijë dollarë për të marrë pjesë në ekspeditën fatale drejt rrënojave të anijes legjendare.