Një punonjës i cili e kishte vlerësuar të pasigurt nëndetësen e “OceanGate” para udhëtimit të fundit fatal, ka dëshmuar të martën se tragjedia mund të ishte parandaluar nëse një agjenci federale e sigurisë do ta kishte hetuar ankesën e tij.
David Lochridge, ish-drejtor i operacioneve të “OceanGate”, ka thënë se ndihej i zhgënjyer nga vendimi i Administratës së Sigurisë dhe Shëndetit në Punë (OSHA) për të mos e ndjekur ankesën që ai bëri.
“Besoj se nëse OSHA do të ishte përpjekur të hetonte pas seriozitetit të shqetësimeve që unë ngrita në shumë raste, kjo tragjedi mund të ishte parandaluar”, ka thënë ai para një komisioni të Gardës Bregdetare amerikane që po përpiqet të përcaktojë çfarë e shkaktoi shkatërrimin e nëndetëses Titan gjatë udhëtimit për te rrënojat e Titanicut vitin e kaluar ku mbetën pesë të vdekur.
Lochridge ka thënë se tetë muaj pasi e dorëzoi një ankesë në OSHA, një zyrtar i kishte thënë se agjencia nuk kishte filluar hetimin ende dhe se ishin 11 raste para tij. Atë kohë, “OcenGate” po padiste Lochridgen dhe ai kishte ngritur kundërpadi, raportoi AP.
Rreth 10 muaj pas ankesës, ai vendosi të tërhiqej. Rasti u mbyll dhe të dyja paditë u rrëzuan.
I pyetur të martën nëse ai kishte besim në mënyrën si po ndërtohej Titani, ai u përgjigj: “Aspak besim”.