Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se kërkesat e Evropës për fundin e luftës në Ukrainë, janë të papranueshme për Rusinë.
Putini pritet të takohet sot me të dërguarin e Trumpit, Steve Witkoff në Moskë, lidhur me bisedimet e paqes.
Ndërkohë, ai ka mbajtur një fjalim në një forum investimesh diku tjetër në kryeqytet, ku po diskutohej inflacioni dhe sektori bankar rus.
Kur e përfundoi fjalimin, ai u largua pa pranuar asnjë pyetje nga salla. Por, ndërsa po largohej, foli me gazetarët që ishin mbledhur në hollin e qendrës tregtare, raporton BBC.
I pyetur për përfshirjen evropiane në bisedimet e paqes për Ukrainën, ai ka thënë se Evropa ishte "tërhequr nga marrëveshja evropiane" dhe i akuzoi evropianët se nuk kishin "agjendë paqësore" - dhe se në vend të kësaj po pengonin përpjekjet e SHBA-së për të zgjidhur konfliktin.
"Ata janë në anën e luftës. Edhe kur përpiqen gjoja të bëjnë disa ndryshime në propozimin e Trumpit, ne e shohim qartë se çfarë po bëjnë, të gjitha këto ndryshime synojnë vetëm një gjë, të bllokojnë plotësisht të gjithë procesin e paqes duke paraqitur kërkesa që janë absolutisht të papranueshme për Rusinë. Ata e kuptojnë këtë. Duke vepruar kështu, ata synojnë të fajësojnë Rusinë për pengimin e këtij procesi të paqes. Ky është qëllimi i tyre. Ne e shohim qartë këtë", ka deklaruar Putin.
Ai ka thënë gjithashtu se kërkesat e Evropës për t'i dhënë fund luftës "nuk ishin të pranueshme" për Rusinë.
Për më tepër, Putini ka thënë se nuk do të luftojë me Evropën, por nëse ajo e do këtë, atëherë është gati ta bëjë.
"Ne nuk do të luftojmë me Evropën, por nëse Evropa dëshiron të luftojë me ne, ne jemi gati tani", është shprehur Putini.
Partnerët evropianë të Kievit kanë kërkuar një vend në tryezën e negociatave dhe kanë këmbëngulur veçanërisht në garancitë e sigurisë për Ukrainën që do të ndihmonin në sigurimin që ajo të mos sulmohet përsëri.