Presidenti rus Vladimir Putin lëshoi paralajmërim të ri bërthamor pas sulmit të dyshuar ukrainas në një termocentral bërthamor në rajonin kufitar rus të Kurskut.
Më 22 gusht, Putini pati thënë se forcat ukrainase kishin tentuar të sulmonin termocentralin bërthamor të Kurskut (NPP) që nga fillimi i inkursionit të Ukrainës në rajon më 6 gusht. Të nesërmen, agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS ndau të njëjtin informacion “duke iu referuar burimeve të saj”.
Duke folur në forum ekonomik në Vladivostok të enjten, Putin pohoi se sulmet e Ukrainës në termocentralin bërthamor Kursk ishin “sulme të rrezikshme terroriste”.
“A mund ta imagjinoni nëse hakmerremi, çfarë do të ndodhë në të gjithë Evropën?!”, ka pyetur Putin.
Termocentrali bërthamor Kursk ndodhet rreth 40 kilometra në perëndim të qytetit të Kurskut dhe afërsisht 110 kilometra nga kufiri me Ukrainën. Më 11 gusht u raportua se Rusia po ndërtonte mbrojtje të reja rreth termocentralit bërthamor.
Disa blogerë ushtarakë rusë, duke përfshirë korrespondentin e luftës Alexander Sladkov, pohuan në ditët e para të inkursionit se forcat ukrainase po planifikonin të merrnin kontrollin e termocentralit bërthamor.
Nuk ka asnjë provë që sugjeron se Ukraina synon ta kapë termocentralin bërthamor, megjithëse shefi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike të OKB-së (IAEA), Rafael Grossi, më 27 gusht pas vizitës në këtë termocentral ka thënë se ekziston rreziku i një incidenti bërthamor.
Alexey Likhachev, shefi i agjencisë ruse të energjisë atomike Rosatom, u tha gazetarëve në Forumin Ekonomik Lindor se Rusia po konsideronte mbylljen e termocentralit bërthamor.
Instituti Mbretëror i Shërbimeve të Bashkuara me bazë në Londër (RUSI) ka thënë në një analizë të botuar më 30 gusht se Rusia “kërkon të shfrytëzojë frikën për sigurinë bërthamore duke përhapur pretendime të pabaza se termocentrali bërthamor Kursk është në rrezik nga ukrainasit dhe sulmet e tyre”.