Tajlanda dhe Kamboxhia janë përfshirë prej dekadash në një konflikt kufitar të pazgjidhur. Tensionet në territoret e kontestuara janë përshkallëzuar sërish këtë vit, duke çuar në përplasje të përgjakshme dhe përkeqësim të marrëdhënieve diplomatike.
1907
Rrënjët e mosmarrëveshjes kufitare datojnë që nga viti 1907, kur gjatë periudhës koloniale franceze në Kamboxhia u hartua një hartë kufitare. Kjo hartë u bë bazë për pretendimet e Kamboxhias në disa zona kufitare, por për shkak të paqartësive të saj, Tajlanda i kundërshtoi.
Pavarësisht përpjekjeve diplomatike dhe ndërhyrjes së institucioneve ndërkombëtare, përfshirë edhe Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në vitin 1962 që i dha territorin e kontestuar Kamboxhias, çështja nuk u zgjidh kurrë përfundimisht, veçanërisht për zonat ku ndodhen tempuj historikë me rëndësi të madhe kulturore.
2008–2011
Që nga viti 2008, në zonat kufitare kanë shpërthyer disa herë përleshje ushtarake. Një nga përshkallëzimet më të rënda ndodhi në vitin 2011, kur luftimet u përqendruan në një xhungël me tempullin antik të Preah Vihear, për të cilin të dyja palët pretendojnë sovranitet.
Pas shtatë ditësh luftime, që lanë të paktën 15 të vdekur dhe dëbuan dhjetëra mijëra civilë, palët shpallën armëpushim. Po atë vit, një gjykatë ndërkombëtare urdhëroi tërheqjen e trupave dhe krijimin e një zone të demilitarizuar, por ende nuk u vendos se kush do ta kontrollonte territorin më të gjerë të kontestuar.
28 maj 2025
Mosmarrëveshjet kufitare u përshkallëzuan sërish këtë vit. Në një përplasje të armatosur, një ushtar kamboxhian mbeti i vrarë, çka bëri që marrëdhëniet mes dy vendeve të arrinin pikën më të ulët në vite.
15 qershor
Kryeministrja e Tajlandës, Paetongtarn Shinawatra, zhvilloi bisedë telefonike me liderin de-facto të Kamboxhias, Hun Sen, për të tentuar uljen e tensioneve.
18 qershor
Publikimi i incizimit të kësaj bisede nga Hun Sen në Facebook shkaktoi reagime të forta në Tajlandë. Në bisedë, Paetongtarn e quajti ushtrinë tajlandeze “ana tjetër” dhe iu referua Hun Senit si “xhaxha”, duke i ofruar gjithashtu ndihmë për çdo gjë që ai dëshironte.
Këto komente u konsideruan nënçmuese ndaj ushtrisë tajlandeze dhe të papërshtatshme për një lidere shteti. Ajo u përball me kritika nga të gjitha krahët politikë dhe pati thirrje për dorëheqje.
Gjykata Kushtetuese e Tajlandës pezulloi përkohësisht Paetongtarnin nga detyra, duke pranuar një peticion të ngritur nga senatorët që e akuzonin për shkelje të standardeve etike për shkak të asaj bisede. Ajo kërkoi ndjesë publike dhe ka thënë se qëllimi i saj nuk kishte qenë përfitimi personal.
23 korrik
Një ushtar tajlandez humbi këmbën e djathtë nga shpërthimi i një mine tokësore në kufi. Si reagim, Tajlanda njoftoi se do të ulë nivelin e marrëdhënieve diplomatike me Kamboxhian: ajo tërhoqi ambasadorin nga Phnom Penh dhe dëboi ambasadorin kamboxhian nga Bangkoku.
Më pas u raportua se ushtria e Kamboxhias ka gjuajtur në drejtim të civilëve në Tajlandë, duke lënë të paktën 12 të vdekur deri tash. Tajlanda ka mbyllur kufirin me Kamboxhian.
Të dyja palët e akuzojnë njëra-tjetrën se nisën konfliktin.
