Tajlanda ka ndërmarrë sulme ajrore ndaj caqeve në territorin e Kamboxhias, veprim që është konfirmuar nga ministritë përkatëse të të dyja shteteve. Para këtij sulmi, nga pala kamboxhiane ishte kryer bombardim në drejtim të Tajlandës, ku vdiqën të paktën 12 civilë. Pas sulmit ajror, Tajlanda ka mbyllur të gjitha kalimet kufitare me Kamboxhian, raporton BBC.
Ministria e Mbrojtjes e Kamboxhias konfirmoi sulmet ajrore të Tajlandës, duke thënë se u përdorën aeroplanë luftarakë për të hedhur dy bomba mbi një rrugë në territorin kamboxhian. Ata akuzojnë Tajlandën se ka shkelur një marrëveshje dypalëshe duke hapur zjarr mbi ushtrinë kamboxhiane.
Të paktën 12 civilë në Tajlanda kanë vdekur nga granatimet e Kamboxhias të enjten. Media lokale raporton gjithashtu për civilë që janë duke ikur nga zonat kufitare në përpjekje për të gjetur strehim.

Të dyja palët fajësojnë njëra-tjetrën për nisjen e konfliktit.
Ushtria tajlandeze njoftoi se ka vendosur një avion luftarak F-16 kundër ushtrisë kamboxhiane, pas disa javësh tensionesh për një mosmarrëveshje kufitare që u përshkallëzua në përleshje të armatosura. Nga gjashtë avionë F-16 që Tajlanda kishte përgatitur për ndërhyrje në kufirin e kontestuar, njëri prej tyre ka sulmuar një cak ushtarak kamboxhian dhe e ka shkatërruar.
VIDEO:
Cambodian forces launch attacks on Thai border areas, causing civilian casualties
.
Cambodian forces have reportedly intensified their assault on the border regions of Surin and Sisaket provinces in Thailand, using BM-21 Grad 122mm multiple rocket launchers.
.
According to… pic.twitter.com/RoGRo4FMdZ
Sipas ushtrisë tajlandeze, gjithçka nisi kur në mëngjesin e së enjtes u dëgjua një dron dhe më pas u panë gjashtë ushtarë kamboxhianë të armatosur duke iu afruar kufirit. Tajlandezët pohuan se tentuan t’i paralajmëronin, por nga ana kamboxhiane u hap zjarr.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Kamboxhias thotë se Tajlanda e filloi konfliktin e armatosur dhe se ushtria kamboxhiane ka vepruar “rreptësisht në vetëmbrojtje”.
Kryeministri kamboxhian, Hun Manet, deklaroi se Tajlanda ka sulmuar pozicionet ushtarake kamboxhiane në zonat Prasat Ta Moan Thom dhe Prasat Ta Krabey, në provincën Oddar Meanchey, dhe më pas e ka zgjeruar sulmin përgjatë kufirit mes provincës kamboxhiane Preah Vihear dhe asaj tajlandeze Ubon Ratchathani.
Të dyja vendet kanë një mosmarrëveshje të kahershme për sovranitetin mbi tempullin Preah Vihear, për të cilin Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vendosur në favor të Kamboxhias në vitet 1962 dhe 2013, por Tajlanda nuk e njeh vendimin.
Pse Tajlanda dhe Kamboxhia po rrezikojnë luftë të re?
Tajlanda dhe Kamboxhia janë përfshirë prej dekadash në një konflikt kufitar të pazgjidhur. Tensionet në territoret e kontestuara janë përshkallëzuar sërish këtë vit, duke çuar në përplasje të përgjakshme dhe përkeqësim të marrëdhënieve diplomatike.
1907
Rrënjët e mosmarrëveshjes kufitare datojnë që nga viti 1907, kur gjatë periudhës koloniale franceze në Kamboxhia u hartua një hartë kufitare. Kjo hartë u bë bazë për pretendimet e Kamboxhias në disa zona kufitare, por për shkak të paqartësive të saj, Tajlanda i kundërshtoi.
Pavarësisht përpjekjeve diplomatike dhe ndërhyrjes së institucioneve ndërkombëtare, përfshirë edhe Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në vitin 1962 që i dha territorin e kontestuar Kamboxhias, çështja nuk u zgjidh kurrë përfundimisht, veçanërisht për zonat ku ndodhen tempuj historikë me rëndësi të madhe kulturore.
2008–2011
Që nga viti 2008, në zonat kufitare kanë shpërthyer disa herë përleshje ushtarake. Një nga përshkallëzimet më të rënda ndodhi në vitin 2011, kur luftimet u përqendruan në një xhungël me tempullin antik të Preah Vihear, për të cilin të dyja palët pretendojnë sovranitet.
Pas shtatë ditësh luftime, që lanë të paktën 15 të vdekur dhe dëbuan dhjetëra mijëra civilë, palët shpallën armëpushim. Po atë vit, një gjykatë ndërkombëtare urdhëroi tërheqjen e trupave dhe krijimin e një zone të demilitarizuar, por ende nuk u vendos se kush do ta kontrollonte territorin më të gjerë të kontestuar.
28 maj 2025
Mosmarrëveshjet kufitare u përshkallëzuan sërish këtë vit. Në një përplasje të armatosur, një ushtar kamboxhian mbeti i vrarë, çka bëri që marrëdhëniet mes dy vendeve të arrinin pikën më të ulët në vite.
15 qershor
Kryeministrja e Tajlandës, Paetongtarn Shinawatra, zhvilloi bisedë telefonike me liderin de-facto të Kamboxhias, Hun Sen, për të tentuar uljen e tensioneve.
18 qershor
Publikimi i incizimit të kësaj bisede nga Hun Sen në Facebook shkaktoi reagime të forta në Tajlandë. Në bisedë, Paetongtarn e quajti ushtrinë tajlandeze “ana tjetër” dhe iu referua Hun Senit si “xhaxha”, duke i ofruar gjithashtu ndihmë për çdo gjë që ai dëshironte.
Këto komente u konsideruan nënçmuese ndaj ushtrisë tajlandeze dhe të papërshtatshme për një lidere shteti. Ajo u përball me kritika nga të gjitha krahët politikë dhe pati thirrje për dorëheqje.
Gjykata Kushtetuese e Tajlandës pezulloi përkohësisht Paetongtarnin nga detyra, duke pranuar një peticion të ngritur nga senatorët që e akuzonin për shkelje të standardeve etike për shkak të asaj bisede. Ajo kërkoi ndjesë publike dhe ka thënë se qëllimi i saj nuk kishte qenë përfitimi personal.
23 korrik
Një ushtar tajlandez humbi këmbën e djathtë nga shpërthimi i një mine tokësore në kufi. Si reagim, Tajlanda njoftoi se do të ulë nivelin e marrëdhënieve diplomatike me Kamboxhian: ajo tërhoqi ambasadorin nga Phnom Penh dhe dëboi ambasadorin kamboxhian nga Bangkoku.
Më pas u raportua se ushtria e Kamboxhias ka gjuajtur në drejtim të civilëve në Tajlandë, duke lënë të paktën 12 të vdekur deri tash. Tajlanda ka mbyllur kufirin me Kamboxhian.
Të dyja palët e akuzojnë njëra-tjetrën se nisën konfliktin.