Luftimet e rinisura që nga dje midis Tajlandës dhe Kamboxhias për zonën kufitare të kontestuar po vazhdojnë, ndërsa raportohet për më shumë të vrarë dhe mijëra të zhvendosur.
Kamboxhia njofton se dy civilë të tjerë janë vrarë nga granatimet e natës së kaluar nga forcat tajlandeze, duke e çuar numrin total të viktimave në anën e saj në shtatë. Tajlanda, ndërkohë, ka raportuar të paktën tre ushtarë të vrarë.
Të dyja palët po akuzojnë njëra-tjetrën për nisjen e përplasjes, e cila ka minuar armëpushimin e brishtë të ndërmjetësuar nga presidenti amerikan Donald Trump në korrik.
Trump atëkohë e kishte quajtur arritje historike ndërprerjen e konfliktit kufitar, madje Kamboxhia e kishte propozuar për Çmimin Nobel për Paqe për rolin e tij.
Tajlanda dhe Kamboxhia po e kontestojnë sovranitetin përgjatë kufirit të tyre tokësor prej 800 km tash e më shumë se një shekull.