Qeveria ka lehtësuar masat e distancës sociale në fillim të muajit nëntor. Këtë e ka quajtur si hap të vogël drejt kthimit në normalitet. Shteti ka lejuar edhe tubimet e mëdha dhe qëndrimet më të gjata në restorante. Zyrtarët e qeverisë kanë përmendur shqetësimet për ndikimin e pandemisë në ekonomi dhe kanë shfaqur shpresën se fushata e vaksinimit do të mbajë nën kontroll përhapjen e pandemisë së koronavirusit
Koreja e Jugut ka raportuar për rekord të rasteve ditore që prej fillimit të pandemisë, kur mijëra nxënës ia mësynë klasave për provimin pranues në universitete. Rreth 509 mijë nxënës morën pjesë në provimin pranues që u mbajt në 1 mijë e 395 shkolla në krejt vendin.
Provimi vjetor i quajtur “Suneung” ose testi i aftësisë, është vendimtar në shtetin e fiksuar pas arsimimit, ku karriera e punës, madje edhe martesa, varen krejtësisht se në cilin universitet regjistrohesh.
Të gjithë pjesëmarrësve të testit u është matur temperatura para hyrjes në klasë dhe ata me simptoma janë dërguar në hapësirat testuese. Ministria e Arsimit ka bërë të ditur të enjten se 68 nxënës të infektuar dhe 105 raste kontakte janë në izolim.
Agjencia për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse në Korenë e Jugut, të enjten, ka konfirmuar 3 mijë e 292 raste të reja me COVID-19. E enjtja ishte dita e dytë me më shumë se 3 mijë raste të reja. 29 persona kanë vdekur në 24 orët e fundit.
Për të reduktuar zhurmën, autoritetet e transportit kanë planifikuar anulimin e përkohshëm të aterrimeve dhe fluturimeve nga aeroportet gjatë pjesës së testit për dëgjim të gjuhës angleze.
Qeveria ka urdhëruar punëtorët e të gjithë sektorëve që të shkojnë në punë me një orë vonesë, me qëllim që rrugët të jenë të lira për pjesëmarrësit e testit pranues.
“Nxënësit nuk ishin në klasat e duhura (për shkak të COVID-19) dhe shpesh i kam parë fëmijët duke u shqetësuar”, ka thënë Seo Kwang-sun, nënë e një studenti që të enjten u testua.
Teksa shkollat janë kombinuar mes mësimeve fizike dhe atyre “online”, Ministria e Arsimit ka planifikuar për kthim në orarin e plotë duke filluar nga java e ardhshme. Kjo është bërë me qëllim që të respektohet strategjia e qeverisë në betejën kundër pandemisë.
Qeveria ka lehtësuar masat e distancës sociale në fillim të muajit nëntor. Këtë e ka quajtur si hap të vogël drejt kthimit në normalitet. Shteti ka lejuar edhe tubimet e mëdha dhe qëndrimet më të gjata në restorante. Zyrtarët e qeverisë kanë përmendur shqetësimet për ndikimin e pandemisë në ekonomi dhe kanë shfaqur shpresën se fushata e vaksinimit do të mbajë nën kontroll përhapjen e pandemisë së koronavirusit.
Mirëpo në javët e fundit ka pasur një ngritje serioze të rasteve dhe vdekjeve në mesin e të moshuarve që kanë refuzuar vaksinën ose imuniteti i tyre është dobësuar kur ishin të parët që u vaksinuan në fund të muajit shkurt. Kjo ka nxitur reagime nëse vendimi për të lehtësuar masat ishte i gabuar.
Deri më tani qeveria e shtetit aziatik nuk ka sinjalizuar për ashpërsimin e masave, kthimin e distancës sociale ose edhe nëse do të shtyjë hapjen e plotë të shkollave.