Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, është shprehur i bindur se homologu i tij rus, Vladimir Putin, është i gatshëm të sulmojë edhe shtete të tjera përveç Ukrainës.
Në një konferencë të përbashkët shtypi në Helsinki bashkë me presidentin finlandez, Alexander Stubb, ata kërkuan sanksione të reja dhe më të ashpra ndaj Rusisë, e cila po e vazhdon luftën në Ukrainë pavarësisht përpjekjeve të udhëhequra nga SHBA-ja, raportoi agjencia e lajmeve PAP e Polonisë.
"Nuk u besojmë qëllimeve të Putinit dhe për këtë arsye po zhvillojmë forcat tona të armatosura, partneritetin tonë dhe marrëdhëniet tona aleate. Historia jonë e përbashkët, ajo e Finlandës dhe Polonisë, tregon se si polakët ashtu edhe finlandezët janë shumë të njohur me shpirtin rus dhe Vladimir Putinin. E diskutuam këtë. Si unë ashtu edhe presidenti padyshim nuk u besojmë qëllimeve të mira të Putinit. Jemi thellësisht të bindur se Putini është gati të sulmojë më shumë vende", ka thënë ai.
Nawrocki ka shtuar se ndonëse nuk mund të flasë në emër të popullit amerikan, sipas mendimit të tij, paketa të mëtejshme sanksionesh janë të nevojshme, duke theksuar se sanksionet aktuale po ndikojnë në ekonominë ruse.
“Evropa dhe SHBA-ja po koordinojnë politikën e tyre të sanksioneve ndaj Rusisë dhe mendoj se ky është lajm i mirë”, shtoi ai.
Stubb i bëri thirrje BE-së të ndërpresë blerjet e naftës dhe gazit rus dhe të përdorë asetet e ngrira ruse.
"Evropa dhe SHBA-ja aktualisht po koordinojnë politikën e tyre të sanksioneve ndaj Rusisë dhe mendoj se ky është një lajm i mirë", tha Stubb, duke shtuar se Finlanda planifikon të rrisë bashkëpunimin me Poloninë në mbrojtje dhe siguri.