Botë

Presidenti kinez vlerëson “thellimin” e marrëdhënieve me Rusinë

Xi Jinping dhe Vladimir Putin

Foto: Associated Press

Presidenti kinez, Xi Jinping, ka lavdëruar “besimin e ndërsjellë politik ndërmjet Kinës dhe Rusisë”, pasi ka arritur në Moskë për bisedime me homologun e tij rus, Vladimir Putin, në margjinat e paradës që shënon 80-vjetorin e fitores së Bashkimit Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore, transmeton LeMonde.

“Lidhjet për bashkëpunim pragmatik midis dy vendeve po bëhen më të forta”, ka thënë presidenti kinez, i cili mirëpriti delegacionet së bashku me Putinin.

“Ne po zhvillojmë lidhjet tona për interesin e popujve të të dyja shteteve dhe jo kundër dikujt tjetër. Marrëdhëniet tona bazohen në barazi dhe janë të dobishme për të dyja palët”, ka vazhduar pastaj presidenti rus.

Ai ka deklaruar se Pekini dhe Moska kanë për qëllim të mbrojnë, sipas tij, “të vërtetën historike” rreth Luftës së Dytë Botërore, për të cilën presidenti rus akuzon Perëndimin se po tenton ta shtrembërojë.

Kina është partneri më i madh tregtar i Rusisë, teksa viteve të fundit i ka ofruar në vazhdimësi Moskës ndihma ekonomike, si mënyrë për të përballuar sanksionet perëndimore, të vendosura si pasojë e luftës në Ukrainë.

Kina blen më shumë naftë dhe gaz rus se çdo vend tjetër.