OpEd

Kufijtë e partneritetit “pa kufij” mes Xisë e Putinit

Ruby Osman e Dan Sleat

Shumëçka ka ndryshuar qëkur presidenti kinez, Xi Jinping, dhe ai rus, Vladimir Putin, qëndruan për herë të fundit së bashku mbi sheshin “Tiananmen” më 2015. Kur e bënë këtë përsëri gjatë javës, ata supozohej se ishin partnerë të barabartë. Por sigurisht realiteti është shumë më i ndërlikuar.

Është mendim i zakonshëm se Kina e ka betonuar pozicionin e saj si partneri dominues, veçmas pas pushtimit me përmasa të plota të Ukrainës nga Rusia, në shkurt të 2022-tës. Tekefundit, Kina është tani partneri më i madh tregtar i Rusisë, duke e përbërë më se gjysmën e importeve ruse më 2023, përderisa Rusia nuk hyn as në pesëshen e partnerëve kryesorë tregtarë të Kinës. Teksa Rusia mbështetet te Kina për të blerë rreth gjysmën e eksporteve të saj të naftës së papërpunuar, këto blerje përbëjnë vetëm 17.5 për qind të të gjitha importeve të naftës të Kinës. Thënë thjesht, Rusia ka nevojë për Kinën për ta mbajtur në jetë ekonominë e saj.

Megjithëkëtë, pavarësisht gjithë kësaj varësie, Kina nuk po i dikton rezultatet ndërsa Kremlini nuk po sillet sikurse partner inferior. Kijeni parasysh luftën në Ukrainë. Përderisa ajo ia sjell disa përfitime Kinës – veçanërisht duke ia larguar vëmendjen dhe burimet amerikane nga Paqësori – nuk ka dyshim që Putini po vë bast në kohën, shkallën dhe objektivin përfundimtar të luftës.

Në letër Kina mund ta ketë levën për të ndikuar në politikën e Rusisë. Por është vështirë të imagjinohet një skenar, në të cilin Ukraina mund ta detyrojë Kinën që ta përdorë atë. Një veprim i tillë jo vetëm që do ta rrezikonte marrëdhëniet e Kinës me një partner kyç, por do ta shkelte njashtu edhe parimin bazë të politikës së jashtme të saj për “mosndërhyrje”. Putini e di këtë më mirë se kushdo tjetër.

Ani se Kina vazhdimisht e ka paraqitur veten si “paqebërëse”, ky rol është marrë nga vendet e tjera, përfshirë Turqinë dhe Arabinë Saudite; dhe tani, presidenti amerikan Donald Trump dhe Putini janë dëshmuar të aftë që të komunikojnë edhe pa e pasur një ndërmjetës.

Limitet e ndikimit kinez janë edhe më të dukshme pranë kufijve të saj, ku partneriteti përherë e më i thelluar i Rusisë me Korenë e Veriut po ngre alarm. Kina mund ta mirëpresë ndërhyrjen e Rusisë në Evropë, porse destabilizimi potencial i gadishullit korean është një çështje krejt tjetër.

Nëse Kina nuk është e gatshme të ndikojë në rezultatet në Ukrainë dhe nuk është në gjendje ta ndalojë jostabilitetin potencial në fqinjësi të saj, atëherë kjo sugjeron se marrëdhëniet kinezo-ruse janë më shumë se një partneritet i thjeshtë mes një të madhi dhe një të vogli. Ndonëse marrëdhënia ekonomike mund të ketë ndryshuar, politika ende nuk e ka ndjekur këtë shteg.

Historikisht Kina ka qenë prej kohësh partneri i madh i fqinjit të saj verior – dhe ndonjëherë edhe viktima e tij. Rusia cariste ishte në mesin e fuqive perandorake që ka gërryer territor kinez në shekullin XIX, duke i marrë rreth 1.5 milionë kilometra katrorë në verilindje të Kinës – një sipërfaqe kjo afërsisht sa një e gjashta e territorit aktual të Kinës. Më vonë, më 1969, mosmarrëveshjet për të njëjtit kufij shkaktuan një konflikt shtatëmujor me Bashkimin Sovjetik.

Kësisoj, bindja në Pekin është se në 30 vjetët e fundit të marrëdhënieve të forta janë përjashtim e jo normë. Udhëheqësit kinezë mbesin hezitues për ta ridefinuar marrëdhënien, veçmas kur pozicioni aktual sjell përfitime të vlefshme, si energjia e lirë. Duke e pasur parasysh këtë kombinim të fuqishëm të përfitimeve ekonomike dhe të pasigurive politike, ata nuk pritet t’i ushtrojnë presion domethënës Kremlinit.

Rusia, nga ana tjetër, e ka të vështirë ta pranojë idenë e dominimit kinez. Ajo ende heziton të negociojë rreth gazsjellësit “Fuqia e Siberisë 2”, duke ia refuzuar kërkesat e Kinës që gazi t’i shitet me çmimin e subvencionuar të brendshëm. Rusia njashtu vendosi “tarifa riciklimi” të konsiderueshme – që funksionojnë ngjashëm sikurse tarifat doganore – për ta kundërshtuar rritjen e shtatëfishtë të çmimit të veturave kineze të importuara, që u pasua me largimin e prodhuesve perëndimorë nga vendi.
Ndërkohë e djathta ruse ka qenë përherë e më e zëshme në nxitjen e Kremlinit për t’i rezistuar varësisë nga Kina. Duke theksuar se Lindja e Largët ruse është e rrallë në popullsi, ndërsa Kina ka popullsi të madhe, komentuesit nacionalistë paralajmërojnë se kinezët nuk i kanë harruar “territoret e humbura” dhe pa dyshim se i lakmojnë burimet natyrore dhe energjinë e lirë të Rusisë. Argumentet e tyre mbështeten në histori dhe identitet, jo vetëm në ekonomi, për ta mbrojtur një politikë që e refuzon rolin e të nënshtruarit.

Rusia duket gjithashtu se po e mban Kinën në distancë në Arktik, ku Kina aspiron të paraqitet si një “shtet pranë Arktikut”. Në Kore të Veriut sa më shumë që Rusia ofron karburant, ushqim dhe ndihmë teknike, aq më pak leva Kina do të ketë mbi Kim Jong-unin.

Megjithëkëtë, janë disa fusha në të cilat Kina po bëhet më e guximshme. Po hyn gjithnjë e më shumë në sferën tradicionale të ndikimit të Rusisë në Azinë Qendrore, duke premtuar më se 25 miliardë dollarë investime në rajon, vetëm në gjysmën e parë të këtij viti. Xi mori gjithashtu pjesë në samitin e dytë Kinë-Azi Qendrore në Astana – një sinjal i qartë i prioriteteve kineze, duke pasur parasysh se i ka kufizuar angazhimet e tija ndërkombëtare së fundi.

Këto realitete e jo deklaratat me dorë vendosur mbi zemër për partneritet “pa kufij” i ofrojnë treguesit më të mirë të marrëdhënieve dypalëshe. Marrëdhëniet kinezo-ruse nuk janë aspak në prag të kolapsit, por evoluimi i tyre do t’i pasqyrojë tonet politike, historike dhe gjeografike e jo thjesht tregtare.
Kina e ka ende të ngujuar thellë frikën e jostabilitetit përgjatë kufijve të saj, e formuar pjesërisht nga vetë historia e agresionit territorial të Rusisë. Kjo është arsyeja përse Koreja Veriore fqinje e jo Ukraina ka më shumë potencial të shndërrohet si pikë përçarjeje mes tyre. Është kjo edhe arsyeja përse Kina i sheh rrëzimin e regjimit të Putinit dhe kaosin që mund të pasojë përgjatë kufirit të saj si skenarë të patolerueshëm.

Për Rusinë i njëjti mentalitet që e shtyu ta pushtojë Ukrainën po i formësohen edhe qëndrimet e saj për Kinën. Kremlini po përpiqet ta bashkërendojë varësinë ekonomike në rritje me imazhin e vetimponuar të tij si fuqi e madhe, e qëndrueshme. E djathta nacionaliste argumenton se sanksionet perëndimore e kanë shtrënguar Rusinë të bëhet më e vetëvarur dhe se kjo “autonomi” e fituar vështirë nuk duhet dorëzuar. Ideja se e ardhmja e Rusisë duhet të diktohet nga kushtet kineze është anatemë edhe për elitën politike të vendit.

Kjo e bën vetë vizionin e Rusisë për të ardhmen të papranueshme për Kinën, e cila synon që ta betonojë veten si një fuqi teknologjike dhe si shtyllë thelbësore e ekonomisë globale, e jo t’i bashkohet një aleance të akterëve të izoluar dhe që në mënyrë të qëllimshme e destabilizojnë rendin botëror.

Dhjetë vjet pas takimit më të fundit mes Xisë dhe Putinit, pamjet që shpërfaqin unitet nuk mund ta fshehin mosbesimin historik mes vendeve të tyre dhe t’i ndryshojnë interesat e kamotshme.

(Ruby Osman është këshilltar i lartë politik për Kinën në Institutin Tony Blair. Dan Sleat është këshilltar i lartë politik për Rusinë dhe Ukrainën në Institutin Tony Blair. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)