Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Gjykata vendos masë të përkohshme, presidentja s'mund t'i shpallë zgjedhjet e Kuvendit i ndalohet puna

Kushtetuesja

Është ndaluar çdo veprim i presidentes Vjosa Osmani në drejtim të shpalljes së zgjedhjeve, me vendimin për masë deri më 31 mars të Gjykatës Kushtetuese. Gjithashtu, kushtetuesja ka pezulluar edhe punën e Kuvendit

Gjykata Kushtetuese i ka vendosur masë deri më 31 mars dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarje të Kuvendit.

Sipas Kushtetueses, vendimi i publikuar të hënën është në funksion të parandalimit të shkaktimit të dëmit të pariparueshëm për rendin kushtetues dhe funksionimin demokratik të institucioneve kyçe në vend.

“Gjykata thekson se vendosja e masës së përkohshme ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesit të kërkesës përmes të cilës ndalohet ndërmarrja e çdo veprimi nga Presidentja lidhur me Dekretin [nr. 24/2026] të 6 marsit 2026 si dhe ndalimit të çdo veprimi të Kuvendit deri në vendosjen e rastit nga Gjykata Kushtetuese është në funksion të parandalimit të shkaktimit të dëmit të pariparueshëm për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin demokratik të institucioneve kyçe në Republikën e Kosovës”, u tha në vendimin.  

Në këtë vendim të gjykatës thuhet se kërkesën për masë e ka parashtruar kryeministri Albin Kurti, të shtunën. 

Në dokument theksohet se në pretendimet e qeverisë thuhet se ekziston rreziku që para se Kushtetuesja të vendosë mbi çështjen, të krijohen pasoja institucionale, të cilat do të ishin jashtëzakonisht të vështira për t'u korrigjuar.

Edhe Kuvendi i pezulluar edhe një javë, Kushtetuesja: Jemi duke e shqyrtuar kërkesën Arbëri Kuvendi i pezulluar edhe një javë, Kushtetuesja: Jemi duke e shqyrtuar kërkesën

“Fillimi i procedurave për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme do të përfshinte një sërë veprimesh institucionale dhe administrative, duke filluar nga caktimi i datës së zgjedhjeve, aktivizimi i procedurave zgjedhore, mobilizimi i administratës zgjedhore, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe angazhimi i burimeve publike, të cilat, pasi të jenë ndërmarrë, do të krijonin një gjendje faktike që do të ishte tejet e vështirë të rikthehej në gjendjen e mëparshme kushtetuese”, thuhet në parashtrimin.

Në vendim theksohet po ashtu se gjyqtari Radomir Laban ka kërkuar përjashtim nga vendimmarrja lidhur me këtë rast, por kërkesa e tij është refuzuar. 

Osmani të premten mori vendim për shpërndarjen e Kuvendit. Gjatë ditës, në presidencë njoftuan se data e zgjedhjeve nuk është shpallur për shkak se po e presin vendimin e Kushtetueses. Kanë theksuan se vendosja e masës së përkohshme nuk nënkupton që presidentja Osmani ka kryer shkelje të kushtetutës. 

Gjithashtu kryeparlamentarja Albulena Haxhiu më 5 mars i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese pas dështimit të seancës për zgjedhjen e presidentit.

Edhe Çka u tha pas pezullimit të dekretit për shpërndarje të Kuvendit Arbëri Çka u tha pas pezullimit të dekretit për shpërndarje të Kuvendit

Ajo ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Kushtetuesja vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e presidentit dhe masë pezulluese për afatin kushtetues.

Gjithashtu, ka kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së mosprezencës së deputetëve të opozitës në seancën për zgjedhjen e presidentit.