Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme ndaj dekretit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për të shpërndarë Kuvendin e Kosovës.

Ankesën në Kushtetuese e kishte dorëzuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në emër të Qeverisë së Kosovës. Ai kishte kërkuar të vlerësohet kushtetutshmëria e dekretit të presidentes për shpërndarjen e Kuvendit si dhe vendosjen e masës së përkohshme. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas masës së përkohshme e cila vlen deri më 31 mars, ndalohet "çdo veprim i Presidentes së Republikës Kosovës në lidhje me Dekretin [nr. 24/2026] të 6 marsit 2026, si dhe të ndalojë çdo veprim të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në kohëzgjatjen e përcaktuar sipas pikës II të këtij Vendimi; (ii) të urdhërojë që masa e përkohshme hyn në fuqi më 9 mars 2026, në kohëzgjatje deri më 31 mars 2026".

“Gjykata thekson se vendosja e masës së përkohshme ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesit të kërkesës përmes të cilës ndalohet ndërmarrja e çdo veprimi nga Presidentja lidhur me Dekretin [nr. 24/2026] të 6 marsit 2026 si dhe ndalimit të çdo veprimi të Kuvendit deri në vendosjen e rastit nga Gjykata Kushtetuese është në funksion të parandalimit të shkaktimit të dëmit të pariparueshëm për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin demokratik të institucioneve kyçe në Republikën e Kosovës”, thuhet në vendim.

Po ashtu u tha se ndalimi i çdo vendimi dhe veprimi të mëtejmë nga ana e institucioneve është në interes publik dhe i domosdoshëm për ruajtjen e rendit kushtetues dhe interesin më të mirë të Republikës së Kosovës.

“Rrjedhimisht, Gjykata, pa paragjykuar meritat e kërkesës KO72/26 konstaton se duhet të vendoset masa e përkohshme ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesit të kërkesës në përputhje me arsyetimin e këtij Vendimi”, thuhet në  vendim.

Gjithashtu në vendim theksohet se më 9 mars 2026, gjyqtari Radomir Laban kërkoi përjashtimin e tij nga vendimmarrja lidhur me kërkesën KO72/26. Të njëjtën ditë, Gjykata, njëzëri, refuzoi kërkesën për përjashtim të gjyqtarit Radomir Laban.

Më 5 mars 2026, Kuvendi i Republikës së Kosovës, bazuar në kërkesën e 42 deputetëve të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje mbajti seancën e jashtëzakonshme me të vetmen pikë të rendit të ditës “Zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës”.  Nga procesverbali i seancës së jashtëzakonshme, të 5 marsit 2026, u propozuan kandidatë për President, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mullhaxha – Kollçaku.

Vendimi i plotë

 

Mustafa pyet VV-në: A është e kapur Kushtetuesja nga opozita

2 o. më parë / 9 mar 2026 18:28
Besian Mustafa

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për masë të përkohshme në lidhje me dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarje të Kuvendit, e ka pyetur Lëvizjen Vetëvendosje nëse mendon tash se Kushtetuesja është e kapur nga opozita.

Në një postim në Facebook ka përmendur edhe gjyqtarin Radomir Llaban, duke pyetur VV-në nëse është rrezik për sigurinë kombëtare.

“A na tregon VV tash a është Gjykata Kushtetuese “e kapur nga opozita”? A është ai gjyqtari serb ende rrezik për sigurinë kombëtare? Apo tash që po i pëlqen ky vendim VV-së, Gjykata është krejt në rregull dhe ai serbi është burrë i mirë?”, ka shkruar Mustafa.

Në vendimin e Kushtetueses, ndër të tjera theksohet se gjyqtari Radomir Laban kërkoi përjashtimin e tij nga vendimmarrja lidhur me kërkesën KO72/26. Të njëjtën ditë, Gjykata, njëzëri, refuzoi kërkesën për përjashtim të gjyqtarit Radomir Laban.

Nagavci mirëpret vendimin për masë të përkohshme

2 o. më parë / 9 mar 2026 18:27
Arbërie Nagavci

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për vendosje të masës së përkohshme ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e legjislaturës së dhjetë të Kuvendit të Kosovës. Ajo ka thënë se pret një “trajtim profesional nga Gjykata dhe miratim të kërkesës”. 

“Mirëpresim vendosjen e masës së përkohshme nga Gjykata Kushtetuese ndaj dekretit të Presidentes. Besojmë se kërkesa jonë është e drejtë dhe se argumentet tona janë të qarta e të bazuara në Kushtetutë. Presim një trajtim profesional nga Gjykata dhe miratimin e kërkesës sonë. Ashtu siç e kemi cekur edhe në Kërkesë, presim që Gjykata të nxjerrë Aktgjykim me të cilin vendos: -të anulojë Dekretin nr. 24/2026, të datës 06.03.2026, të Presidentes për shpërndarjen e Legjislaturës së Dhjetë (X) të Kuvendit të Republikës së Kosovës; -si dhe të urdhërojë deputetët e Kuvendit që të vazhdojnë përpjekjet për zgjedhjen e Presidentit/Presidentes së re, brenda afatit kushtetues prej 60 ditësh nga nxjerrja e këtij aktgjykimi. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është thelbësor për respektimin e rendit kushtetues, funksionimin demokratik të institucioneve dhe garantimin e stabilitetit institucional në vend”, ka shkruar Nagavci në Facebook. 
 

Kushtetuesja ka vendosur masën e përkohshme deri më 31 mars, ndërsa do të shqyrtojë edhe kërkesën për vlerësim të kushtetutshmërisë së dekretit të presidentes Vjosa Osmani. 


 

Sallahu: Masa e përkohshme ndalon përmbysjen e rendit kushtetues

2 o. më parë / 9 mar 2026 18:20
sallahu

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese i cili vendosi masë të parakohshme lidhur me dekretin e presidentes Vjosa Osmani, për shpërndarje të Kuvendit.

Derisa e ka quajtur dekretin e Osmanit antikushtetues, ka thënë se e ndalon atë të prodhojë pasoja juridike dhe të përmbysë rendin kushtetues.

Sallahu ka deklaruar se zgjedhje do të ketë vetëm kur e thotë Kushtetuta.

“Gjykata Kushtetuese ka marrë masë të përkohshme. Kjo e ndalon që dekreti antikushtetues të prodhojë pasoja juridike. Për më tepër, kjo e ndalon përmbysjen e rendit kushtetues. Prandaj, zgjedhje do të ketë veç kur e thotë Kushtetuta…”, ka shkruar ai.