Presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, ka thënë të enjten se mbrojtja e pakicës druze dhe e të drejtave të tyre është prioritet për qeverinë e udhëhequr prej tij, teksa Izraeli është përbetuar të shkatërrojë forcat ushtarake siriane që i sulmojnë ata në pjesën jugore të vendit.
Në fjalimin e parë të transmetuar që prej sulmeve të fuqishme ajrore të Izraelit mbi Damask, Shaara u shpreh se populli sirian nuk i frikësohet luftës dhe se është i gatshëm ta mbrojë dinjitetin e tij nëse kërcënohet nga akterë të jashtëm.
Zyrtarë të Qeverisë siriane dhe udhëheqës të pakicës fetare druze veçse kanë shpallur armëpushimin e ri pas luftimeve disaditore që kanë kërcënuar ta prishin rrjedhën e ndryshimit dhe rindërtimit politik.
Më shumë se gjysma e rreth 1 milion druzëve që jetojnë nëpër botë, ndodhen në Siri. Pjesa tjetër jeton në Liban dhe në Izrael, përfshirë edhe në Rrafshnaltën e Golanit, të cilën Izraeli e kishte pushtuar nga Siria gjatë luftës së vitit 1967 dhe e kishte aneksuar më pastaj në vitin 1981.
Përplasjet mes grupeve të armatosura druzi dhe fiseve sunite beduine nisën të hënën pas një sërë rrëmbimesh ndërmjet të dyja palëve, që u ndezën si pasojë e ngritjes së një postblloku nga anëtarët e fisit beduin dhe grabitjes së një të riu druz. Pas përleshjeve të armatosura mes sekteve fetare, qeveria siriane pati dërguar forca të armatosura për ta neutralizuar situatën.
Qendra Siriane për të Drejtat e Njeriut, me bazë në Britani, ka raportuar për të paktën 350 të vdekur që prej përshkallëzimit të dhunës, përfshirë gra, fëmijë dhe dhjetëra anëtarë të ushtrisë dhe forcave të sigurisë.