Botë

Siria do të dërgojë forca të reja ushtarake në Suweida për të parandaluar luftën sektare

Siria

Presidenca siriane ka njoftuar se do të dërgojë forca të reja ushtarake për të ndalur përplasjet vdekjeprurëse sektare mes luftëtarëve beduinë dhe druzë në jug të vendit.

Zyra e Presidentit të përkohshëm sirian, Ahmed al-Sharaa, u bëri thirrje “të gjitha palëve që të tregojnë përmbajtje”, mes raportimeve  për përleshje të reja pranë qytetit Suweida të premten.

Më shumë se 700 persona raportohet se janë vrarë që nga shpërthimi i dhunës në Suweida. Trupat qeveritare që janë vendosur në atë zonë janë akuzuar nga banorët për vrasjen e civilëve druze dhe për kryerjen e ekzekutimeve jashtëgjyqësore.

Më pas, Izraeli goditi objektiva në Siri për të detyruar trupat qeveritare të tërhiqen nga provinca Suweida. Të premten, ambasadori amerikan në Turqi deklaroi se Izraeli dhe Siria kishin rënë dakord për armëpushim, raporton BBC.

Në një postim në rrjetin X, ambasadori Tom Barrack ka thënë se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe Sharaa janë pajtuar për armëpushim i cili është mbështetur edhe nga fqinjët e Sirisë – Turqia dhe Jordania.

“U bëjmë thirrje druzëve, beduinëve dhe sunitëve të lënë armët dhe, së bashku me pakicat e tjera, të ndërtojnë një identitet të ri dhe të bashkuar sirian në paqe dhe mirëqenie me fqinjët e tij”, tha ambasadori.

Pak para se zyra e Sharaas të njoftonte për vendosjen e forcave ushtarake në jug, një zyrtar izraelit tha se Izraeli kishte rënë dakord të lejonte hyrjen e kufizuar të pjesëtarëve të Forcave të Sigurisë së Brendshme siriane në Suweida për 48 orë, për të mbrojtur civilët druzë.

Komuniteti kryesisht druz i Suweidës ndjek një fe, degë e Islami Shiit, dhe shpreh mosbesim ndaj qeverisë aktuale të udhëhequr nga, siç i quan xhihadistët në Damask. Druzët janë një pakicë në Siri, si edhe në Liban dhe Izrael.

E në një fjalim të transmetuar të enjten në mëngjes, Sharaa premtoi se do të mbajë përgjegjës autorët dhe premtoi se mbrojtja e druzëve do të jetë një “prioritet”.