Botë

Mbi 1.000 të vrarë nga dhuna ndërsektare në Sirinë jugore

siri

Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut (SOHR), me bazë në Britani, ka njoftuar të dielën se bilanci i të vdekurve si rezultat i dhunës sektare në Sirinë jugore, ku palë ndërluftuese ishin pakica fetare druze dhe rivalët e tyre prej fiseve beduine, si dhe forcat qeveritare, klanet e armatosura dhe ushtria izraelite, ka shkuar në 1,000.

Qendra monitoruese ka bërë të ditur se personat e vrarë që prej të dielës së kaluar përfshijnë 336 luftëtarë druzi dhe 298 civilë prej pakicës fetare, 194 prej të cilëve ishin “ekzekutuar nga personeli i ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Brendshme”.

Në mesin e të vrarëve bëjnë pjesë edhe 342 persona nga radhët e forcave qeveritare siriane dhe 21 beduin, tre prej tyre civilë të “ekzekutuar nga luftëtarët druzi”. 15 anëtarë të forcave qeveritare kanë mbetur të vdekur pas sulmeve ajrore të Izraelit, bazuar në shifrat e SOHR-së.

Gazeta britanike “The Guardian” s’ka arritur ende të verifikojë këto statistika.

Sido që të jetë, situata në provincën Sweida pretendohet se është nën kontroll, pas disa ditësh dhune vdekjeprurëse mes këtyre fraksioneve, sipas raportimit të agjencisë shtetërore të lajmeve siriane, SANA, duke cituar Ministrinë e Brendshme më 20 korrik.

Për qetësimin e situatës, kanë njoftuar edhe në Observatorin sirian, i cili mbështetet në rrjetin e raportuesve që i ka në terren.

Mes tjerash, Gjysmëhëna e Kuqe Siriane ka lajmëruar të dielën se po dërgon 32 kamionë në Sweida të ngarkuar me ushqime, ilaçe, ujë, karburant dhe ndihma të tjera, pasi përleshjet e kanë lënë provincën pa energji elektrike dhe me mungesa të theksuara.

Në Ministrinë e Shëndetësisë po ashtu kanë bërë të ditur se kanë dërguar një autokolonë me kamionë.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) ka paralajmëruar për mungesë uji për shkak të ndërprerjeve të energjisë elektrike dhe ka konstatuar se shumë spitale po hasin në vështirësi për të përballuar numrin e madh të të plagosurve nga përleshjet.