Botë

Të paktën 30 të vrarë nga përplasjet ndërsektare në Siri

Siri

Foto: Associated Press

Përplasjet mes milicive lokale dhe klaneve në provincën Sweida të Sirisë kanë lënë të vrarë më shumë se 30 persona dhe kanë plagosur gati 100 të tjerë, sipas autoriteteve, ndërkohë që forcat qeveritare po dërgohen në zonë për të rikthyer rendin, ka raportuar AP.

Qendra Siriane për të Drejtat e Njeriut, me bazë në Britani, ka raportuar për të paktën 37 viktima, përfshirë dy fëmijë, në përplasjet mes grupeve të armatosura nga pakica fetare druze dhe klaneve sunite beduine në dhe përreth provincës. Sipas qendrës mbikëqyrëse, konvojë ushtarakë janë nisur drejt zonës për të forcuar postblloqet e sigurisë.

Përplasjet, nisën pas një sërë rrëmbimesh mes të dyja palëve, që u ndezën kur anëtarë të fisit beduin ngritën një postbllok, si dhe sulmuan e grabitën një të ri druz.

Drejtuesi i qendrës, Rami Abdurrahman, ka bërë të ditur se konflikti ka filluar me rrëmbimin dhe grabitjen e një shitësi perimesh të pakicës druze, duke nxitur më pastaj sulme dhe rrëmbime hakmarrëse nga të dyja palët.

Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Brendshme e Sirisë kanë dërguar personel ushtarak në zonën e përfshirë nga përplasjet, si përpjekje për të rikthyer qetësinë dhe rendin publik.

Përmes një deklarate, në Ministrinë e Brendshme e kanë përshkruar situatën si përshkallëzim të rrezikshëm.

“Kjo ndodh në mungesë të institucioneve zyrtare përkatëse, çka ka dërguar në përkeqësimin e gjendjes së kaosit, në përkeqësimin e sigurisë dhe në pamundësinë e komunitetit lokal për të përmbajtur situatën, pavarësisht thirrjeve të përsëritura për qetësi”, thuhet në deklaratë.