Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Polonia rrëzon dronët rusë, shteti i parë i NATO-s që hap zjarr gjatë luftës në Ukrainë

Polonia

Foto: Associated Press

Polonia ka aktivizuar mbrojtjen e saj ajrore dhe të NATO-s për të rrëzuar dronë në hapësirën e saj ajrore të mërkurën, pas një sulmi ajror rus ndaj Ukrainës, duke shënuar herën e parë që Varshava përfshihet në luftën e vendit të saj fqinj.

Polonia e ka quajtur shkeljen një akt agresioni.

Kryeministri polak, Donald Tusk, ka thënë se operacionet janë duke vazhduar dhe se ai është në "kontakt të vazhdueshëm" me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte. 

Tusk ka thirrur një takim urgjent të këshillit të ministrave në orën 8:00 të mëngjesit, ka bërë të ditur një zëdhënës i qeverisë.

Komanda ushtarake e Polonisë ka thënë se dronët shkelën vazhdimisht hapësirën ajrore polake gjatë sulmit rus përtej kufirit, në Ukrainën perëndimore, raporton Reuters.

Radarët gjurmuan më shumë se 10 objekte dhe ato që mund të përbënin një kërcënim u "neutralizuan", ka thënë komanda.

"Disa nga dronët që hynë në hapësirën tonë ajrore u rrëzuan. Kërkimet dhe përpjekjet për të gjetur vendet e mundshme të rrëzimit të këtyre objekteve janë duke vazhduar", ka thënë ajo në një deklaratë.

Aeroporti Chopin në Varshavë, më i madhi i vendit, njoftoi se hapësira e tij ajrore është mbyllur për shkak të veprimeve ushtarake.

Pjesa më e madhe e Ukrainës, duke përfshirë rajonet perëndimore të Volyn dhe Lviv që kufizohen me Poloninë, kanë qenë nën alarme për sulme ajrore për pothuajse gjithë natën, sipas forcave ajrore të Ukrainës.

Ndërkohë, disa prej vendeve anëtare të NATO-s të cilat ndodhet afër kufirit me Rusinë kanë lëshuar deklarata duke shprehur solidaritet dhe shqetësime.

Alarmohen shtetet baltike dhe nordike pas rrëzimit të dronëve rusë në Poloni

1 v. më parë / 10 sht 2025 08:42
Polonia

Photo: Associated Press

Disa prej vendeve anëtare të NATO-s të cilat ndodhet afër kufirit me Rusinë kanë lëshuar deklarata duke shprehur solidaritet dhe shqetësime, pas njoftimit se mbrojtja ajrore e Polonisë ka rrëzuar të mërkurën disa dronë rusë në hapësirën e saj ajrore.

Kryeministri suedez, Ulf Kristersson, ka thënë se shkelja e hapësirës ajrore polake nga Rusia është e papranueshme.

"Lufta ruse kundër Ukrainës përbën një kërcënim për sigurinë e të gjithë Evropës. Polonia ka të drejtë të mbrojë hapësirën e saj ajrore. Ne i japim mbështetjen tonë të plotë Polonisë, si një aleat i NATO-s dhe anëtar i BE-së. Suedia dhe Polonia qëndrojnë të bashkuara në mbështetjen tonë për Ukrainën", ka thënë Kristersson.

Presidenti letonez Edgars Rinkēvičs ka postuar në X për të shprehur "mbështetjen dhe solidaritetin e tij të plotë" me Poloninë dhe aleatët e saj.

Ai ka thënë se "agresioni rus në Ukrainë na prek drejtpërdrejt dhe duhet të merren masa të përshtatshme".

E ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Espen Barth Eide, e ka quajtur gjithashtu veprimin e Rusisë "thellësisht shqetësues dhe plotësisht të papranueshëm", duke riafirmuar mbështetjen e palëkundur të Norvegjisë për Poloninë dhe angazhimin e përbashkët për sigurinë evropiane.