Një gjykatë në Vjenë e ka shpallur fajtor për korrupsion, ish-liderin e Partisë së Lirisë, së ekstremit të djathtë austriak, Heinz-Christian Strache.
Ndaj tij është shqiptuar dënimi prej 15 muajsh burgim me kusht.
Strache ishte zëvendës-kancelar kur skandali që shpërtheu për korrupsion në Austri, rrëzoi koalicionin qeveritar të Sebastian Kurzit.
Videoja e cila ishte shpërndarë me të madhe tregonte për donacionet ilegale të partisë së tij.
Strache, tani 52 vjeç, ishte parë në këto video duke premtuar kontrata publike për një grua që paraqitej si mbesa e një oligarku rus, në këmbim të mbështetjes elektorale. Edhe pse ai mohoi këtë veprim, zbulimet hapën rrugën për një sërë hetimesh nën dyshimin për korrupsion.
Ai po ashtu është akuzuar se ka ndihmuar të ndryshohet një ligj, në mënyrë që një mik dhe donator i partisë së tij, të mund të siguronte fonde publike për klinikën e tij private të shëndetit.