Prokuroria e Vjenës ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kancelarit Sebastian Kurz në lidhje me deklaratat e rrejshme në rastin e korrupsionit gjatë mandatit të tij si kancelar i vendit. Në rast se shpallet fajtor, Kurz mund të dënohet deri në tre vjet burgim
Ish-kancelari austriak Sebastian Kurz, do të përballet me aktakuzë për deklarata të rrejshme gjatë hetimit parlamentar në lidhje me dyshimet për korrupsion në qeverinë e tij të parë në vitin 2019.
Në një postim në rrjetin social “Twitter”, Kurz ka mohuar akuzat, të cilat i ka cilësuar si të pabaza.
Kurz do të përballet me drejtësinë së bashku me ish-shefin e stafit të tij, Bernhard Bonelli dhe një person tjetër, ka njoftuar prokuroria në Vjenë. Gjykimi ndaj Kurzit do të nisë më 18 tetor.
Aktakuza është rezultat i hetimit që ka nisur në vitin 2021 kur Kurz ishte ende kancelar. Ka të bëjë me dëshminë e tij në hetimin për korrupsion në koalicionin të cilit i priu nga viti 2017, kur partia e tij konservatore formoi koalicionin me partinë e krahut të djathtë ekstrem.
Kurzi dha dorëheqje nga qeveria kur u shfaq videoja në të cilën shiheshin zëvendëskancelari, Heinz-Christian Strache, që i ofronte favore një investitori të supozuar rus.
Në rastin e korrupsionit, Kurz akuzohet se ka ofruar prova të rreme në qershorin e vitit 2020 në lidhje me rolin që pati në krijimin e kompanisë OeBAG, e cila administronte rolin e shtetit në disa kompani dhe emërimin e udhëheqësve të saj.
Edhe
Mosbesimi ndaj qeverisë së Gjermanisë dhe reformave të saj
Në rast se shpallet fajtor për deklarata të rreme Kurz mund të dënohet deri në tre vjet burgim.
Të premten në një konferencë për media, pasardhësi i tij, kancelari Karl Nehammer ka thënë se gjykimi më në fund është mundësi për të qartësuar gjërat.
Zgjedhjet në Austri mbahen gjatë vitit të ardhshëm. Në sondazhet e fundit prinë partia e Lirisë, e ekstremit të djathtë.