Të paktën pesë persona, përfshirë një fëmijë 1-vjeçar, nënën dhe gjyshen e tij, janë vrarë të enjten në një sulm me dron rus gjatë natës, që ka goditur qytetin verior të Ukrainës, Pryluky, kanë thënë zyrtarët.
Gjashtë dronë kanë goditur një zonë banimi në qytet pak para agimit, sipas autoriteteve, raporton AP.
Fëmija i vrarë ishte nipi i një ndihmësi emergjent, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
"Një nga ekipet e shpëtimit mbërriti për t'iu përgjigjur pasojave pikërisht në shtëpinë e tij”, ka thënë Zelensky në një postim në Telegram.
"Doli që një dron Shahed goditi shtëpinë e tij”, ka shtuar ai.
Nëna e fëmijës 1-vjeçar ishte një oficere policie e quajtur Daryna Shyhyda, ka njoftuar Policia Kombëtare e Ukrainës.
Sulmi ka ndodhur vetëm disa orë pasi presidenti amerikan, Donald Trump ka folur në telefon me presidentin rus, Vladimir Putin.
Sipas Trumpit, Putin ka thënë “shumë fuqishëm” se Rusia do të hakmerret për sulmet me dronë të Ukrainës gjatë fundjavës ndaj aeroporteve ushtarake ruse.