Të paktën 20 persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e përplasjes së dy trenave në lindje të Sllovakisë të hënën.
Si pasojë e aksidentit janë nxjerrë nga shinat një lokomotivë dhe një vagon, raportuan shërbimet e emergjencës dhe mediat lokale.
Shërbimi i shpëtimit i Sllovakisë ka thënë se kishte dërguar dy helikopterë dhe disa ambulanca në vendngjarje.
Nuk ka raportime për vdekje. Kishte rreth 80 pasagjerë në trena, sipas policisë.
Hekurudhat sllovake kanë thënë se dy trenat u përplasën në një pikë ku shinat kryqëzohen dhe shndërrohen në një linjë të vetme, dhe se shkaku i përplasjes po hetohet.
“Në këtë moment, përparësia është shpëtimi dhe evakuimi i pasagjerëve dhe punonjësve tanë", ka thënë ajo në një deklaratë.
Policia ka thënë se përplasja ndodhi përpara një tuneli pranë fshatit Jablonov nad Turnou, rreth 55 km në perëndim të qytetit kryesor të rajonit lindor sllovak, Kosice.