Botë

Përpara takimit të G20-s, Kina kritikon ashpër SHBA-në dhe NATO-n

Kina nisi kritika të ashpra ndaj SHBA-së dhe NATO-s të mërkurën, disa ditë përpara një takimi midis sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken dhe ministrit të Jashtëm kinez, Wang Yi, shkruan AP.

Komentet e zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme, Zhao Lijian, nënvizojnë marrëdhëniet gjithnjë e më të përçara, së bashku me qasjen gjithnjë e më konfrontuese të Kinës ndaj marrëdhënieve me jashtë.

Në samitin e NATO-s të javës së kaluar në Spanjë, Blinken akuzoi Kinën se "kërkon të minojë rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla".

Në komentet e tij të mërkurën, Zhao ka thënë se "i ashtuquajturi rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla është në fakt një rregull familjar i bërë nga një pjesë e vogël e vendeve për t'i shërbyer interesave vetjake të SHBA-së".

“Uashingtoni i respekton rregullat ndërkombëtare vetëm siç e sheh të arsyeshme. NATO duhet të heqë dorë nga besimi i saj i verbër në fuqinë ushtarake", ka thënë Zhao.

Marrëdhëniet SHBA-Kinë dominohen nga mosmarrëveshjet mbi çështjet nga tregtia dhe të drejtat e njeriut deri te pretendimet territoriale të Tajvanit dhe Pekinit në Detin e Kinës Jugore.

Ndërkohë, Kina ka refuzuar të dënojë luftën katërmujore të Rusisë kundër Ukrainës, kritikoi sanksionet e vendosura kundër Moskës nga anëtarët e NATO-s dhe akuzoi Uashingtonin dhe aleatët e tij për provokim të konfliktit.

Rusia dhe Kina kanë forcuar lidhjet politike, ekonomike dhe ushtarake, ndërkohë që kanë lidhur politikat e tyre të jashtme për të kundërshtuar ndikimin e demokracive liberale. Javë para pushtimit rus të shkurtit, udhëheqësi kinez Xi Jinping priti homologun e tij rus Vladimir Putin për një takim në të cilin ata premtuan një partneritet që nuk kishte kufizime.

Në samitin e saj, NATO-ja për herë të parë veçoi Kinën si një nga prioritetet e saj strategjike për dekadën e ardhshme.

Blinken pritet të takohet me Wangun të shtunën në një takim të ministrave të Jashtëm nga Grupi i 20 vendeve kryesore të pasura dhe në zhvillim në ishullin indonezian të Bali.