Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Përleshje mes pilotëve në fluturimin Dubai-Izrael, avioni devijon drejt Arabisë Saudite

Avioni

Foto: Associated Press

Një avion që udhëtonte drejt Izraelit nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ka devijuar drejt Arabisë Saudite pasi transmetoi sinjale emergjence, pas një përleshjeje mes pilotëve, ka thënë të mërkurën një zyrtar izraelit.

Përleshjen mes pilotëve e ka konfrmuar më vonë gjatë ditës edhe kompania "FlyDubai". 

Fluturimi FZ1073 i kompanisë Flydubai, nga Dubai drejt Tel Avivit, ka devijuar mbi hapësirën ajrore të Jordanisë drejt Arabisë Saudite, duke transmetuar një sinjal të përgjithshëm emergjence dhe më pas, disa minuta më vonë, një tjetër sinjal emergjence që tregonte ndërhyrje të mundshme të paligjshme, sipas faqes së gjurmimit të fluturimeve Flightradar24.

Avioni Boeing 737, në të cilin sipas mediave izraelite ndodheshin rreth 150 pasagjerë izraelitë, më pas transmetoi sërish sinjalin fillestar të përgjithshëm të emergjencës, përpara se të ulej më vonë në aeroportin Tabuk, në veriperëndim të Arabisë Saudite, ka thënë faqja.

Të dhënat e avionit tregonin se ai kishte zbritur papritur për më shumë se 4000 metra në më pak se 30 sekonda, përpara transmetimit të sinjalit të parë të emergjencës, ka thënë Flightradar24.

Sinjalet e emergjencës shkaktuan një reagim të madh të sigurisë në Izrael, i cili nuk ka marrëdhënie diplomatike zyrtare me Arabinë Saudite, ku avioni u ul. 

Incidenti ka nxjerrë në pah rreziqet e mundshme në një itinerar që është bërë i njohur mes shtetasve izraelitë që kur Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Izraeli normalizuan marrëdhëniet gjashtë vjet më parë.

Doron Spielman, zëdhënës i zyrës së kryeministrit izraelit, i ka thënë Reuters se nuk besohej se incidenti kishte qenë një rrëmbim avioni, duke e përshkruar atë si një “incident tjetër”.

Një zëdhënës i kompanisë ajrore ka thënë se fluturimi i Flydubai përjetoi një “incident” gjatë rrugës për në Tel Aviv dhe devijoi drejt Tabukut, ku u ul i sigurt. Të gjithë pasagjerët ishin të sigurt dhe u verifikua prania e tyre, ka thënë zëdhënësi, pa dhënë detaje të tjera.

Një zyrtar izraelit, duke folur në kushte anonimiteti, i ka thënë Reuters se pilotët kishin transmetuar sinjalet e emergjencës pasi ishin përfshirë në një përleshje fizike me njëri-tjetrin.

Nuk ishte menjëherë e qartë nëse ndonjëri prej pilotëve i kishte transmetuar qëllimisht sinjalet.

Mediat izraelite kanë publikuar një fotografi që pretendohej se ishte bërë brenda avionit, e cila dukej se tregonte këmishën e një pasagjeri të mbuluar me gjak. 

Në një deklaratë, zyra e kryeministrit izraelit ka thënë se situata ishte “nën kontroll” dhe se po merreshin të gjitha masat për t’i kthyer pasagjerët izraelitë në Izrael.

Flydubai operon fluturime të përditshme vajtje-ardhje mes Dubait dhe Tel Avivit, një itinerar që është i popullarizuar mes shtetasve izraelitë. Rruga e fluturimit zakonisht kalon përmes hapësirës ajrore të Arabisë Saudite dhe Jordanisë.

Nuk është hera e parë që një fluturim mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe ulet në Arabinë Saudite. 

Një fluturim i Flydubai nga Dubai drejt Tel Avivit ka bërë një ulje emergjente në Riad në shtator të vitit 2025 për shkak të një incidenti mjekësor, raportuan në atë kohë mediat izraelite.

Pasagjeri tregon se si e neutralizoi pilotin që pretendohet se tentoi ta rrëzonte aeroplanin e linjës Dubai – Tel Aviv

1 muaj më parë / 30 sht 2026 20:18
Benjamin Netanyahu - Yaniv

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka publikuar një video duke e pritur pasagjerin që pretendohet se e neutralizoi pilotin që tentoi ta rrëzonte aeroplanin e fluturimit Dubai – Tel Aviv, transmeton "BBC".

Aeroplani bëri ulje emergjente në Arabi Saudite të mërkurën, ndërsa pasdite dhjetëra pasagjerë izraelitë u kthyen me aeroplan tjetër në Izrael. 

Netenyahu e ka quajtur pasagjerin Yaniv si hero. 

“Është thjeshtë e pabesueshme ajo që bëre”, tha Netanyahu. 

Yaniv tregoi se piloti që ishte goditur me thikë nga bashkëpiloti ishte pranë derës, por para se të rrëzohej ai arriti ta hapte derën për të lejuar hyrjen te kabina. 

“Kur hyra, e pashë sulmuesin mbi instrumentet, mes dy ulëseve... nuk kishte pilotë në ulëse. Njëri ishte i rrëzuar, ndërsa tjetri ishte mbi instrumentet. Dhe një tjetër djalë hyri me mua. E kapa sulmuesin, e vura në mbërthim dhe e tërhoqa – para së gjithash – jashtë”, tha Yaniv. 

Ai thotë se sulmuesi “po përpiqej të shkatërronte instrumentet, me qëllim që ta çaktivizonte avionin”.
Yaniv më pas thotë se u bëri thirrje “djemve izraelitë që ishin në avion” dhe së bashku “e mbajtëm të shtrirë sulmuesin”.

Yaniv gjithashtu thotë se “tërhoqi komandat çe avionit]”.

“Ti tërhoqe komandat?” e pyeti Netanyahu.

“Unë shikoj Air Crash Investigation, zoti kryeministër”, përgjigjet Yaniv. “Dhe avioni filloi të nivelizohej, pak më shumë, dhe më pas piloti më tha se ai do ta merrte kontrollin prej aty”.

Një tjetër pasagjer, i cili ka folur me gazetarët jashtë aeroportit Ben Gurion, thotë se incidenti në bord zgjati ndoshta pesë minuta, por iu duk “si ferr”.

Oran Choen thotë se dëgjoi të thirrej “Allahu Akbar” para se avioni të fillonte të binte me shpejtësi, ai nuk specifikon se kush e tha “Allahu Akbar”.

“Ndoshta zgjati pesë minuta, por dukej si ferr – dëgjova vëllain tim pas meje duke bërtitur se do të vdisnim”, shton ai.

Zvika Meness, një pasagjer që thotë se ndihmoi në neutralizimin e sulmuesit në fluturimin e devijuar, u ka thënë mediave izraelite se ai dhe dy pasagjerë të tjerë e lidhën sulmuesin me lidhëse plastike dhe kufje.

Meness, për të cilin raportuam më herët se e kishte përshkruar incidentin si “traumatik”, i tha transmetuesit publik izraelit Kan se një pilot që ndodhej në kabinën e pasagjerëve hyri në kabinë pasi dëgjoi të bërtitura.

“Ishte një incident shumë i vështirë. Ne të tre u hodhëm dhe e neutralizuam”, thotë ai. “Një pilot tjetër, i cili ishte ulur në kabinën e pasagjerëve, hyri për të zëvendësuar pilotin shtesë dhe, në thelb, ata e ulën avionin”.

Netanyahu: Njëri nga pilotët u përpoq të rrëzonte avionin Dubai-Izrael

1 muaj më parë / 30 sht 2026 15:35
Benjamin Netanyahu

Photo: Associated Press

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar të mërkurën se njëri prej pilotëve të aeroplanit që po udhëtonte nga Dubai drejt Izraelit, kishte goditur me thikë pilotin tjetër dhe ishte përpjekur po ashtu të rrëzonte avionin.

Në një deklaratë të lëshuar disa orë pas rastit, Netanyahu ka thënë se piloti sulmues është arrestuar dhe po merret në pyetjet nga autoritetet saudite. 

“Njëri prej pilotëve e goditi me thikë pilotin tjetër dhe, me sa duket, u përpoq ta rrëzonte avionin bashkë me pasagjerët e tij. Fola me një prej pasagjerëve izraelitë, i cili më tha se avioni kishte nisur të rrotullohej dhe filloi të humbiste lartësi. I përshëndes këta heronj, të cilët treguan zgjuarsi dhe guxim të jashtëzakonshëm. Të gjithë pasagjerët janë jashtë rrezikut. Piloti sulmues u arrestua dhe aktualisht po merret në pyetje nga autoritetet saudite”, ka deklaruar Netanyahu. 

Mediat izraelite kanë raportuar gjatë ditës se piloti që kishte tentuar të rrëzonte avionin ishte nga Omani. 

Dy bashkëpilotët e fluturimit Dubai-Izrael po trajtohen në spital

1 muaj më parë / 30 sht 2026 13:21
Avioni

Photo: Associated Press

Kapiteni dhe bashkëpiloti i fluturimit FZ1073 të kompanisë Flydubai, i cili është devijuar nga itinerari i tij, kanë mbetur të lënduar në incidentin e mëngjesit të së mërkurën dhe janë dërguar në spital.

Këtë e ka bërë të ditur "Cluster2", operatori kryesor i aviacionit në Arabinë Saudite.

Sipas njoftimit, Aeroporti Ndërkombëtar "Prince Sultan bin Abdulaziz" në Tabuk kishte marrë një thirrje për ndihmë nga avioni i Flydubai, në të cilën kërkohej leje për ulje emergjente në orën 08:44 me kohën lokale.

Aeroporti ka shpallur gjendjen e emergjencës dhe avioni është ulur në mënyrë të sigurt pak më shumë se një orë më vonë.

Operatori i aviacionit ka bërë të ditur se si kapiteni, ashtu edhe bashkëpiloti, ishin dërguar në spital për shkak të lëndimeve, ndërsa pasagjerët ka marrë trajtim mjekësor në terminalin e aeroportit.

Gjithashtu, është kryer koordinimi i nevojshëm për të siguruar një avion zëvendësues pas incidentit të mëngjesit të sotëm. 

Një tjetër fluturim nga Dubai drejt Izraelit kthehet mbrapsht

1 muaj më parë / 30 sht 2026 12:38
Avioni

Një tjetër fluturim nga Dubai drejt kryeqytetit izraelit, Tel Aviv, është kthyer mbrapsht, raportojnë mediat izraelite. 

Arsyeja për kthimin nuk është ende e qartë. 

Kjo vjen pasi një avion i “FlyDubai” i cili po fluturonte nga Dubai drejt Tel Aviv mëngjesin e së mërkurës, është detyruar të aterojë në Arabinë Saudite, një vend me të cilin Izraeli nuk ka marrëdhënie diplomatike.

Devijimi ka ndodhur për shkak se siç raportohet, dy bashkëpilotët janë përleshur, pasi njëri prej tyre, që besohet se ishte nga Omani, ka tentuar ta rrëzojë avionin. 

Por ekuipazhi i avionit ka kërkuar ndihmën e pasagjerëve, të cilët kanë ndërhyrë për ta neutralizuar pilotin.

“FlyDubai” e ka konfirmuar se ka pasur përleshje mes bashkëpilotëve, teksa janë raportuar edhe pamje të një personi me një bluzë me gjak brenda avionit.

Avioni Dubai-Izrael ka rënë me shpejtësi prej mbi 5.000 metrash brenda dy minutash

1 muaj më parë / 30 sht 2026 12:03
Avioni

Photo: Associated Press

Avioni, që po fluturonte nga Dubai drejt Tel Avivit, ka pësuar një rënie jashtëzakonisht të shpejtë mbi Arabinë Saudite, pak më shumë se dy orë pas ngritjes nga Dubai.

Kjo konfirmohet nga të dhënat e gjurmimit të fluturimit të "Flightradar24".

Pak para orës 05:21, avioni po fluturonte në një lartësi të regjistruar prej 10,400 metrash.

Brenda më pak se dy minutash, ai kishte zbritur me më shumë se 5,200 metra.

Rreth 10 minuta më vonë, nga avioni është dhënë një sinjal emergjence dhe të dhënat në dispozicion tregojnë luhatje të konsiderueshme dhe të vazhdueshme të lartësisë gjatë pjesës së mbetur të fluturimit drejt aeroportit të Tabukut në Arabinë Saudite.

Mediat lokale izraelite kanë raportuar se njëri nga pilotët, i cili ishte nga Omani, ka tentuar të rrëzojë avionin. 

Njëri nga pilotët e “FlyDubai” tentoi të rrëzonte avionin, raportojnë mediat izraelite

1 muaj më parë / 30 sht 2026 11:34
Avioni

Mediat lokale izraelite raportojnë se njëri nga pilotët e avionit "FlyDubai" i cili të mërkurën në mëngjes ka devijuar fluturimin drejt Arabisë Saudite, ishte nga Omani, ndërsa tjetri nga Emiratet e Bashkuara.

Sipas mediave, bashkëpiloti nga Omani ka tentuar të rrëzojë avionin, teksa pasi aeroplani ka bërë ulje emergjente në Arabinë Saudite, ai është marrë në pyetje nga autoritetet, ndërsa në hetime është përfshirë edhe Izraeli.

Një hetim po zhvillohet për të përcaktuar se çfarë e shkaktoi incidentin në fluturim. 

Mediat në Tel Aviv raportojnë po ashtu se autoritetet po shqyrtojnë gjithashtu nëse motivi ishte rrëzimi i avionit në kuadër të një sulmi terrorist.

Raportohet po ashtu se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka anuluar një vizitë në Izraelin jugor për të marrë pjesë në diskutime mbi sigurinë.