Partitë opozitare të qendrës së majtë në Suedi kanë fituar 176 vende në zgjedhjet parlamentare të së dielës, ndërsa blloku qeverisës i krahut të djathtë ka siguruar 173 vende, ka bërë të ditur të enjten autoriteti zgjedhor i vendit, pas përfundimit të numërimit të votave.
Rezultati zgjedhor hap rrugën për një ndryshim qeverie, ku liderja e Partisë Socialdemokrate, Magdalena Andersson, pritet të rikthehet në postin e kryeministres pas katër vjetësh në opozitë.
Të gjitha votat për parlamentin me 349 vende janë numëruar tashmë, megjithëse rezultati mbetet për t'u certifikuar zyrtarisht në ditët në vijim.
Kryeministri Ulf Kristersson, nga Partia e Moderuar e krahut të djathtë, ende nuk e ka komentuar rezultatin përfundimtar.
Kristersson kishte premtuar se nëse i fitonte zgjedhjet, do ta përfshinte në qeverinë e tij të re edhe të djathtën ekstreme.
Kjo kishte ardhur pak pasi e djathta ekstreme në Gjermani “Alternativa për Gjermaninë” kishte fituar zgjedhjet në landin Saksoni-Anhalt, në lindje të Gjermanisë, dy javë më parë.
Kryeministri suedez jep dorëheqjen pasi humbi zgjedhjet
Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, ka dhënë dorëheqjen nga posti, pasi rezultatet zyrtare konfirmuan se blloku i tij i krahut të djathtë ka humbur zgjedhjet parlamentare të së dielës së kaluar.
Sipas rezultateve përfundimtare, katër partitë e krahut të majtë me Social-Demokratët e ish-kryeministres, Magdalena Andersson si partia më e madhe, kanë fituar me diferencë prej pak më shumë se 50.000 votash.
Blloku i katër partive të majta do të ketë 176 vende në parlament, krahasuar me 173 vende që do të ketë koalicioni qeverisës tre-partiak i Kristerssonit dhe partia e ekstremit të djathtë "Demokratët e Suedisë".
Në një mesazh të publikuar në platformën X, Kristersson ka deklaruar se rezultatet e ngushta zgjedhore "mund t'i kenë komplikuar kushtet për formimin e qeverisë së re", duke pasur parasysh deklaratat kontradiktore të partive të ndryshme lidhur me qëndrimet e tyre.
Ai ka thënë se nevojiten diskutime me të gjitha partitë për të gjetur zgjidhje për ngërçin dhe për të krijuar kushtet për një qeveri të qëndrueshme dhe efektive.