Shoqata Britanike e Dermatologëve ka paralajmëruar se trendi në rritje i fëmijëve që përdorin produkte për kujdesin e lëkurës mund t’i bëjë ata me probleme të përhershme të lëkurës.
Sipas dermatologëve, fëmijët duhet të mos përdorin produkte të lëkurës pasi shumë prej tyre përmbajnë përbërës aktivë potencialisht të dëmshëm e që janë të destinuar vetëm për të rriturit siç janë acidet eksfoliuese, shkruan BBC.
Përdorimi i produkteve për kujdesin e lëkurës nga fëmijët mund të prodhojë alergji ose ekzemë sipas dermatologëve.
BBC-ja ka marrë disa mesazhe nga disa prindër të shqetësuar për interesin e fëmijëve të tyre për kujdesin e lëkurës - dhe ndikimin e rrjeteve sociale dhe miqve.
Dermatologia pediatrike, Tess McPherson, vlerëson se është e rëndësishme që fëmijët të marrin informacion dhe jo keqinformim në lidhje me kujdesin e lëkurës.
"Shumë produkte për kujdesin e lëkurës janë produkte kundër plakjes. Ato mund të jenë të përshtatshme për lëkurën më të vjetër – nuk janë të përshtatshme për fëmijët. Ato mund të shkaktojnë acarim të lëkurës në çfarëdo moshe që jeni – por qartë për lëkurën më të re, ato mund të jenë potencialisht të rrezikshme ose problematike”, tha dermatologia.
McPherson që përfaqëson Shoqatën Britanike të Dermatologëve, ka thënë se shqetësohet edhe për paketimin e këtyre produkteve pasi sipas saj bëhen në atë mënyrë që t’i tërheqin fëmijët për t’i blerë.
“Prindërit që duan të trajtojnë shqetësimet e lëkurës së fëmijëve të tyre duhet të flasin me një mjek ose dermatolog për të marrin trajtime efektive. Ju nuk keni nevojë të shpenzoni shumë para për produkte të shtrenjta dhe nuk ka kuptim të kërkoni një lëkurë perfekte, e cila ne e dimë se nuk ekziston", tha ajo.